Jasharaj: Askush të mos ndjehet humbës e as fitues që u shty fillimi i mësimit

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i SBASHK-ut Rrahaman Jasharaj i kënaqur që është shtyrë viti i ri shkollor për dy javë.

Jasharaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se askush nuk duhet të ndihet humbës apo fitues që mësimi është shtyrë për dy javë.

“Askush nuk duhet të ndihet humbës apo fitues që mësimi është shtyrë për dy javë, pasi mësimi nuk është shtyrë vetëm në Kosovë por edhe në vendet e rajonit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i SBASHK-ut thotë se MASHT ka bërë një punë shumë të mirë deri më tani dhe ka falënderuar që kanë marrë parasysh edhe kërkesën e tyre për shtyrje të vitit shkollor.

“MASHT ka mundur të barrikadohet në kërkesat për të filluar vitin shkollor por nuk vepruan ashtu. Është mirë që edhe Ministria e Shëndetësisë edhe prindërit u bënë bashkë dhe u pajtuam që të bëhet kjo shtyrje”.

“Deri më sot nuk është siguruar në shumë shkolla dezinfektues. Nuk janë përgatitur klasat për respektim të distancës sociale”.

Jasharaj thotë se nëse këto dy javë punohet si duhet nga të gjithë së bashku gjendja për kthim në shkolla do të jetë më e mirë.

“Të gjithë të bëjmë përpjekje që me 14 shtator të fillojë viti i ri shkollor, por të fillojë më mirë se tani”, tha ndër të tjera Rrahman Jasharaj.

Të ngjashme