Jasharaj, Kurtit: Kryeministër eja javën e ardhshme në SBAShK

Prishtinë | 30 Maj 2024 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës e ka ftuar kryeministrin Kurti që ti vizitojë, duke ia kujtuar atij fjalët që një ditë më parë deklaroi kur tha se “ shkon ku e thërrasin”.

Jasharaj ka theksuar se e kishte të vështirë të besonte se çka ka thënë Kurti, prandaj sipas tij i ka dëgjuar disa herë ato deklarata. Ai ka kujtuar se i kanë dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së shumë kërkesa ministres Nagavci për takime për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë.

“Tha se shkon ku e thërrasin, Kryeministër eja javën e ardhshme në SBASHK. E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda Kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin.

Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së , Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik. Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së dhe ne shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë, por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne.

Tani kur e mësova këtë dëshirë të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem Kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK”, ka deklaruar Jasharaj.

Të ngjashme