Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për Ekonomia Online se nëse Qeveria nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale.
Ai ka paralajmëruar se më 1 maj mund të ketë protestë me numër të kufizuar të pjesëmarrësve.
Jasharaj bëri të ditur se ky vendim erdhi nga takimet me përfaqësues të sindikatës në nivele komunale dhe ato të universiteteve.
“Për ta mbajtur anëtarësinë e informuar ne mbajmë takime të rregullta me kryetarët e niveleve komunale dhe universiteteve të cilët janë përfaqësues tonë që nga çerdhet deri në universitet dhe debatojmë për çështjet të cilat janë kërkesa e shqetësime të anëtarësisë. Në mbledhjen e fundit që e mbajtëm online, e konsideruar mbledhje pak më e jashtëzakonshme, kryetarët raportuan se janë shtuar pakënaqësitë në anëtarësi”, ka thënë Jasharaj.
Ai renditi disa arsye të pakënaqësive të cilat mund të dërgojnë nga protesta deri në grevë.
“E këto pakënaqësi lidhen goxha shumë me ligjin për pagat, sepse kishim një pjesë goxha mirë të punëtorëve të arsimit që ishin të pakënaqur me vetë ligjin dhe ato që u solli ligji e pakënaqësia u shtua shumë me vendimin e pakonsultuar të qeverisë Kurti, ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 110 euro, lëvizje kjo që i shtoi pakënaqësitë te anëtarësia ngase kemi lëvizje ironike për vetëm 28 euro ne kishim kërkuar me shkresa së paku 130 euro. Jo për t’u bërë të pasur punëtorët e arsimit, por të përballen më lehtë me kërkesat e kohës dhe çmimet që vazhdimisht po ngrihen. Këto pakënaqësi janë prezente për shkak se u bënë goxha do vite në Kosovën e çliruar dhe punëtorët e arsimit s’kanë ligj për sigurime shëndetësore. Përkundër premtimeve, kushtet e punës nëpër shkolla nuk janë të shekullit 21 sepse qeveria po i sfidon punëtorët e arsimit të punojnë me shkumësa e shpuza karshi kërkesave shumë të mëdha të Kosovës dhe kjo beteja e mësimdhënësve edhe pse ata angazhohen vazhdimisht nuk po i jep rezultatet e pritura dhe një pjesë e opinioneve në vend që të kritikojnë qeverinë pse nuk po furnizon shkollat me mjete të duhura, pse bëri lojëra me tekste shkollore në këtë vit shkollor duke thënë se duhet t’i blini në librari dhe e keqja më e madhe pse e ka krijuar këtë tensionim jo vetëm në qeveri, është mungesa totale dhe gatishmërisë të qeverisë Kurti për dialog”, ka shtuar ai.
Jasharaj ka thënë se edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, po e ndjek të njëjtën linjë.
E në mungesë të dialogut, Jasharaj ka bërë të ditur se më 1 maj pritet të ketë protestë me numër të kufizuar.
“Dhe kemi ardhur në këtë moment kur në mbledhjen e fundit me kryetarët e niveleve komunale dhe universiteteve u shtuan zërat që në mungesë të dialogut që është faji vetëm i qeverisë dhe i askujt tjetër duhet me hi në diçka tjetër dhe kur nuk ka dialog dihet ka veprime sindikale. Jam i sigurt se kryetarët marrin detyra që të punojnë me anëtarësinë që e bisedojnë dhe jam i sigurt se me 1 maj do të kemi një protestë në numër të kufizuar fillimisht do shkojmë me kryetarët e shoqatave të sindikatave, çerdheve, universiteteve, me kryetarët e nivelit komunal dhe me stafin qendror, si alarm se po fillohet me veprimet sindikale”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut.
Megjithatë, Jasharaj ka frikë se as pas protestës, Qeveria nuk do të dialogojë. Por ka paralajmëruar se mund të ketë edhe sindikata të tjera që mund t’i bashkangjiten në protestë.