Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, por pa tekste shkollore për nxënësit e mësimdhënësit, raporton Ekonomia Online.
Jasharaj, pas një takimi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se i ka premtuar atij që punëtorët e arsimit edhe në “këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve, nxënësve dhe neve arsimtarëve të Qeverisë Kurti”, do ta vazhdojnë betejën për dije.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka pasur vetëm fjalë të mëdha e në vend se të sigurojë pajisje teknologjike për shkolla, nuk po ua siguron as librat.
“I shpreha respekt meritor për Ligjin dhe ushtrinë edhe për Ligjin që e punuam bashkë me Besnikun atë kohë të Pagave, por që fatkeqësisht u rrëzua nga Kushtetuesja e që ishte shumë më i mirë se ky Ligj”.
“I premtova kryetarit Haradinaj që punëtorët e arsimit edhe në këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve, nxënësve dhe neve arsimtarëve të Qeverisë Kurti, MASHT-it dhe Qeverisë, ne do ta vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi dhe po e them edhe njëherë që Qeveria me gjithë ato fjalë të mëdha të Kurtit, në vend që të na sjell laptopë e projektorë, nuk po na sjell në shkolla as libra.
“Ne do ta vazhdojmë betejën me gjysmë libra, shkumës e shpuzë. Edhe ne jemi prindër, urojmë që prindërit ta kalojnë këtë siklet dhe urojmë që mos të ketë orë të humbura”, tha ai.
“Pikëpyetja më e madhe është se grevë s’ka, mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm fatkeqësisht, pa tekste shkollore. Nuk dihet kur do të arrihet të kompletohemi me tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.
Ai kërkoi po ashtu që koeficienti në paga të rritet sepse sipas tij, po mbeti ky koeficient edhe gjatë, do të kemi ikje.
“Janë diku 300 kolegë që kanë kërkuar pushim pa pagesë, dhe kam frikën së këtë pushim ata mund ta shfrytëzojnë për të dalë jashtë shtetit, dhe nëse rehatohen atje nuk do të kthehen dhe pastaj të tjerët do ta ndjekin të njëjtën rrugë, dhe ç’na duhen nxënësit në shkollë pa mësuesin shqiptar në ato shkolla”.