4 dhjetori është data për protestën e paralajmëruar të SBASHK-ut, e cila do të organizohet përpara Qeverisë, për shkak të mospërfilljes së kërkesave të Sindikatës.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj tha se kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime dhe se po përgatiten për protestë.
“Udhëheqësit e Këshillëve të Prindërve jemi duke i kontaktuar dhe me 4 dhjetor po përgaditemi që të kemi një protestë para Qeverisë. Në mënyrë simbolike pra, për t’i treguar opinionit se s’jemi për ta humbur mësimin, por me dëshirën më të madhe që edhe kryetarët e Këshillëve të Prindërve të të gjitha komunave të na bashkohen, në mënyrë që bashkërisht të angazhohemi dhe të vijmë deri te dialogu dhe marrëveshja”, tha Jashari për Indeksonline.
Ai gjithashtu shtoi se nëse protesta e 4 dhjetorit nuk ndikon në reflektimin e Qeverisë, SBASHK-u do të organizojë një tjetër protestë më masive, më 18 dhjetor.
“Do t’i kemi të përfshirë kryetarët e të gjitha shoqatave sindikale nga e tërë Republika e Kosovës, duke përfshirë këtu shoqatat sindikale nëpër çerdhe, shoqatat sindikale të arsimit parauniversitar dhe shoqatat sindikale nga universiteti. Protesta e 18 dhjetorit do të jetë më masive, do të kemi edhe prindër, dhe uroj që të mos shkojmë as deri të protesta e 4 dhjetorit”, shtoi ai.
Ai thotë se shpreson në kalimin e Ligjit të Pagave, gjë që do të kursente organizimin e protestave dhe eventualisht edhe grevave.
“Nëse vjen deri të greva, nuk do të zëvendësohen as ditët e as orët e humbura”, përfundoi Jashari.