Vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifati, ka kërkuar bashkim të të gjithëve, në çdo ditë dhe jo vetëm kur ka përvjetorë, raporton Ekonomia Online.
Në 21-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, Jashari tha se në ditët më të vështira, luftëtarët morën guximin që t’ia kthejnë armët armikut.
“Në ditët më të vështira morrrën guximin që t’ia kthejnë armët ushtrisë serbo sllave. Falë luftës tyre jemi këtu ku jemi. Iu lutem të gjithëve që jo vetëm në përvjetorë por gjithmonë të rrimë bashkë kështu si sot”, tha Jashari.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se “Epopeja e Dukagjinit”, është e lavdishme që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve.
“Epopeja e Dukagjinit është epope e lavdishme që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe ngritjen e moralit. Kjo ditë është harta e sakrificës, e rrugëtimit të Kosovës”, tha Ramosaj.
Për bashkimin shqiptarë dhe luftën, foli edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi. Ai tha se “Epopeja e Dukagjinit”, ishte uragan, i prirë nga plisa legjendarë.
“Viti 98-99 ishin vitet e shekullit të kaluar që i dhanë fund luftës së shqiptarëve për liri e pavarësi. Është e rëndësishme që këto vite t’i kujtojmë me një dashuri shumë të madhe. Epopeja që jemi mbledhur sot ishte jo thjesht një epope por një uragan, prirë nga plisa legjendarë, nga heronj të kombit që në krye me Adem Jasharin arritën të ngjallnin shpresën për liri dhe pavarësi”, tha Minxhozi.