Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari e ka vizituar familjen e kryetarit të OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati ku është pritur nga babai i tij Avdullah Gucati.
U bisedua për arrestimin e Gucatit dhe bashkëluftëtarëve të tij, derisa Jashari ka shprehur bindjen se luftëtarët e lirisë, siç i quan ai, do të dëshmojnë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj.
“Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë! Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!”, ka shkruar Jashari në Facebook.
Postimi i plotë i Bekim Jasharit në Facebook:
Bashkë me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe me drejtorë e asambleistë, vizituam familjen e Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, babain e tij bacën Avdullah, i cili pavarësisht sfidave që ka kaluar ende mbetet i fortë dhe krenar me luftën dhe sakrificën e djalit të tij Hysniut dhe shokëve të tij.
Biseduam rreth situatës në vend, arrestimit të Kryetarit Gucati dhe bashkëluftëtarëve të tij si dhe shprehëm bindjen tonë të thellë se edhe kësaj radhe luftëtarët e Lirisë do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë liridashës.
Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë!
Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!