Jashari: Shteti serb po përdor spiunazhin si armë kundër Kosovës – të hetohet Lista Serbe

Prishtinë | 27 Gus 2025 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arbër Jashari ka thënë se përditë e më tepër po vërtetohet se shteti serb e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë spiunazhin si një nga armët kryesore kundër shtetit të Kosovës.

Pas raportimeve të mediave kroate se një serbe nga Mitrovica dhe partneri i saj, oficer i Forcave Ajrore kroate, u arrestuan në Vis të Kroacisë nën dyshimin se spiunonin për Serbinë, ai ka kërkuar hetime të menjëhershme nga autoritetet e vendit.

“Në rast se vërtetohen këto dyshime, kjo është edhe një dëshmi më shumë se Lista Serbe nuk po e kryen rolin e saj si parti e mirëfilltë politike, por po i shërben Beogradit si mjet destabilizimi dhe ndarje etnike”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Përditë e më tepër po vërtetohet se shteti serb, përmes strukturave dhe agjentëve të vet brenda Kosovës, e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë spiunazhin si një nga armët kryesore kundër shtetit të Kosovës.

Kjo u dëshmua sërish sot, kur mediat kroate raportuan se një serbe nga Mitrovica dhe partneri i saj, oficer i Forcave Ajrore kroate, u arrestuan në Vis të Kroacisë nën dyshimin se spiunonin për Serbinë.

Sipas të dhënave, piloti kroat kishte shërbyer edhe në KFOR në Kosovë dhe dyshohet se i ka dhënë të dashurës së tij serbe informacione konfidenciale, të cilat ajo ia përcillte më pas eksponentëve të Listës Serbe.

Autoritetet e Kosovës duhet të nisin menjëherë hetime, të identifikojnë dhe të vënë para drejtësisë të gjithë ata persona brenda këtij subjekti politik që kanë kryer veprimtari kundër shtetit.

Në rast se vërtetohen këto dyshime, kjo është edhe një dëshmi më shumë se Lista Serbe nuk po e kryen rolin e saj si parti e mirëfilltë politike, por po i shërben Beogradit si mjet destabilizimi dhe ndarje etnike.

Të ngjashme