Jashari: Vendimi i Kushtetueses kompromis politik, jo juridik

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentes Vjosa Osmani është më shumë një zgjidhje politike sesa një vendim tipik juridik, duke theksuar se ai nuk prodhon fitues apo humbës të qartë, raporton Ekonomia Online.

Jashari në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vetë fakti që Gjykata ka përcaktuar një afat shtesë prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit tregon për një qasje balancuese dhe kompromisi, me synimin për të mundësuar një zgjidhje politike.

“Mendoj që është vendim i balancave, kompromiseve dhe zgjidhjeve politike. Nuk është një vendim tipik juridik. Pra, me këtë vendim Gjykata Kushtetuese po tregon që nuk jeton jashtë realitetit politik dhe jashtë rrethanave politike, por i ka marrë dhe i ka studiuar mirë. Vetë fakti që aktgjykimi nuk ka një fitues të qartë edhe nuk ka një humbës të qartë, edhe 34-ditëshi është si të thuash një mes, një kompromis për një afat shtesë, tregon që Gjykata Kushtetuese në realitet e ka nxjerrë një vendim për të ofruar zgjidhje ose për të mundësuar një zgjidhje politike”, tha ai.

Sipas tij, ky afat buron nga interpretimi i afateve kushtetuese, duke theksuar se Kuvendi kishte në dispozicion 60 ditë për zgjedhjen e presidentit, ndërsa deri tani janë konsumuar 24 ditë.

“Afati 34 ditor, siç jeni në njohuri, ka dalë nga fakti që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që Kuvendi do të duhej t’i kishte 60 ditë për ta zgjedhur presidentin, e duke qenë se Kuvendi është konstituar me 11 shkurt 2026, atëherë i ka konsumuar vetëm 24 ditë dhe do të duhej t’i plotësojë edhe 34 ditë. Po ashtu është interesante që Gjykata Kushtetuese e konfirmon atë që ka thënë tabori opozitar dhe presidentja që afati 30 ditor për zgjedhjen e presidentit, ose thënë më saktë që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para se t’i skadojë mandati i presidentit aktual, është afat detyrues. Po ashtu e ka konfirmuar edhe faktin që procedurat duhet të fillojnë 90 ditë më herët ose 60 ditë para këtij afati 30 ditor”, tha ai.

Ai nënvizoi se Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese nga ana e presidentes, por ka vlerësuar se dekreti i saj nuk prodhon efekt juridik.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka përcaktuar, ose me terma nuk ka gjetur shkelje kushtetutshmërie nga ana e presidentes, por vetëm thjesht ka thënë që dekreti i saj nuk ka efekt juridik, duke qenë se Kuvendi me kalimin e këtyre afateve, si të thuash, duhet të shpërndahet sipas fuqisë së Kushtetutës. Pra, është kujdesur edhe në terma që as presidentja të mos dalë humbëse në këtë proces, ndonëse dekreti i saj është zhvleftësuar dhe nuk ka fuqi juridike. Kështu që, siç thashë edhe më herët, më shumë është vendim i balancave, kompromiseve, zgjidhjeve, që tenton që të mos shpallë asnjë fitues të qartë, asnjë humbës të qartë, edhe të mos projektojë te opinioni i gjerë se dikush e ka shkelur Kushtetutën”, tha ai.

Jashari shtoi se kjo situatë mund të interpretohet si zhvlerësim i dekretit, pa e cilësuar atë drejtpërdrejt si antikushtetues.

“Unë nuk mund të them që gjykata ka konstatuar që presidentja e ka shkelur Kushtetutën, absolutisht që jo. Po ashtu nuk mund të them që dekreti i presidentes është antikushtetues ose është në kundërshtim me Kushtetutën përderisa gjykata nuk e ka thënë në dispozitivin e saj. Por ajo që është më e qartë, ose ajo që shihet, është se ne kemi një dekret të presidentes i cili është zhvleftësuar ose është shpallur i pavlefshëm. Dhe kjo mund të interpretohet se presidentja ka nxjerrë një dekret antikushtetues. Çfarë edhe po bëhet”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu se deputetët nuk janë të detyruar të qëndrojnë në sallë, duke nënvizuar se mandati i tyre është i lirë dhe përgjegjësia për arritjen e kuorumit bie mbi forcat politike.

“Nga ajo që kam parë edhe këtë jep një shpjegim dhe sqarim dhe duke thënë që deputetët nuk janë të detyrueshëm. Pra mandati i deputetit është i lirë, vullneti i tij është i lirë dhe ai nuk është i detyrueshëm domosdoshmërisht të qëndrojë në sallë. Dhe se i takon forcave politike që të gjejnë zgjidhje për të arritur kompromisin ose për të arritur kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentes”, tha ai.

Jashari vlerësoi se arritja e një kompromisi politik mbetet e mundur, nëse ka vullnet nga partitë, duke paralajmëruar se në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Bazuar në ato që kanë ndodhur më herët, është pak vështirë të pritet që forcat politike të Kosovës të gjejnë një zgjidhje. Vetëm nëse ato kanë reflektuar dhe i kanë parë rrethanat politike edhe në vend, e sidomos në botë, të cilat kanë ndikim edhe tek ne, mbase kjo do t’i bëjë që të reflektojnë dhe të heqin secila nga pak dorë prej egove dhe ambicieve të veta, dhe ta bëjnë një kompromis për presidentin në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Unë mendoj që kjo është shumë e thjeshtë nëse ka vullnet politik”.

“Ne si Kosovë jemi dëshmuar edhe në të kaluarën që kur liderët politikë dojnë, mund të arrijnë kompromise edhe më të mëdha në të mirë të vendit, në të mirë të interesit, stabilitetit institucional. Nuk është diçka që duhet një kompromis ose një lëshim i madh, absolutisht jo. Dhe nuk besoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës ose klasa politike janë kaq të papërgjegjshëm dhe kaq të pandërgjegjshëm sa të mos t’i kuptojnë rrethanat aktuale në të cilat ndodhet Kosova, po edhe kjo çfarë po kalon bota në përgjithësi”, tha ai./Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuse e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik. Nga Presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.

Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.

Të ngjashme