Ka filluar Java e Ekonomisë Formale dhe Tregtisë së Ndershme, e organizuar me fokus në promovimin e formalizimit, konkurrencës së drejtë dhe transparencës ekonomike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje, të organizuar nga “Kapitali Online”, u diskutuan sfidat që lidhen me ekonominë formale dhe mundësitë për ndërtimin e një tregu më të drejtë dhe më të qëndrueshëm.
Astrit Panxha, themelues i “Kapitali Online”, tha se besimi është elementi themelor mbi të cilin ndërtohet një ekonomi funksionale.
Panxha shtoi se ky koncept nënkupton një zhvendosje të madhe nga supozimi i njeriut racional drejt njeriut emocional, ku besimi luan rolin kryesor.
“Ekonomia i ka bazat e krijimit dhe të themelimit të ekonomisë së sjelljes. Kur ulesh dhe analizon dhe informohesh se cilët janë faktorët kryesorë ose supozimet që i kanë në ekonominë e sjelljes, secili autor fokusohet në besimin. Për me pas një ekonomi të zhvilluar duhet të ketë besim. Për me pas institucione funksionale duhet të ekzistojë besimi ndërinstitucional, si besimi i qytetarëve ndaj institucioneve. Për të pasur besim për një biznes të suksesshëm duhet të ekzistojë besimi ndaj furnitorëve, ndaj klientëve. Do të thotë besimi është ndër pikat kryesore. Kjo nënkupton që ekonomia ka bërë një zhvendosje drastike nga supozimi i njeriut racional në njeri emocional, ku besimi luan rolin më të madh se faktorët. Besimi edhe në Kosovë, këtu është një përkufizim i shpejtë që është besimi në ekonomi nënkupton pritjen se individët, bizneset ose institucionet do të veprojnë në mënyrë të qëndrueshme, drejt dhe të parashikueshme”, tha ai.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, tha se koncepti i besës, si vlerë historike e shqiptarëve, duhet të jetë pjesë e identitetit institucional dhe të shërbejë si bazë për rritjen e besimit qytetar.
“Çështje që ne shqiptarët e kemi pasur ndër shekuj, besa ka qenë virtyt i popullit tonë shqiptar, që besoj duhet ta integrojmë edhe në pjesën e institucioneve, të rrisim kredibilitetin dhe besimin në institucione. Besimi ndërinstitucional nuk rritet vetëm me përfaqësues të grupeve të institucioneve, nuk rritet vetëm me ATK, doganën ose me Autoritetin e Konkurrencës, besa as vetëm me Universitetin. Ka nevojë për një shpërndarje të përgjithshme për një identitet që duam me krijuar si shqiptarë, që e kemi pasur qysh me shekuj”, tha ai.
Duke folur për informalitetin, Hyseni theksoi se raportet ndërkombëtare tregojnë se rreth 40 për qind e bruto produktit përfaqëson ekonomi joformale.
“ Kur flasim për ekonominë formale si term, ne e dimë që raportet ndërkombëtare tregojnë diku 40 për qind të bruto produktit që është evazion fiskal ose ekonomi joformale. Diku 25 për qind janë të hyrat tatimore dhe të hyrat e doganës, nëse i krahasojmë me bruto produktin. Kjo i bie diku 150 për qind është ekonomi joformale në krahasim me atë që mbledh. Kur i sheh të hyrat tatimore se shifrat janë kokëforta, nuk gënjejnë, kemi një rritje në tri vitet e fundit rreth 12 për qind nga viti në vit. Ndërsa kemi rritje ekonomike njëshifrore që i bie administrata tatimore dhe dogana janë duke treguar që po e zvogëlojnë ekonominë joformale. Pasi që kanë rritje më të madhe të mbledhjes tatimore se sa zhvillimi ekonomik”, tha ai.

