Në organizim të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), në Prishtinë po mbahet konferenca dyditore për të shënuar Javën e Gruas 2022, me temën “Në mbrojtje të demokracisë: Gjithëpërfshirja ka rëndësi”.
Paneli i parë i diskutimit, “Momentum i ri për demokracinë e Kosovës: Mundësitë për pjesëmarrje të barabartë gjinore në parti politike” të kësaj konference solli liderët e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth pjesëmarrjes së barabartë gjinore në parti politike. Të pranishëm në këtë panel ishin: Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK); Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Emilija Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike (NDS).
Panelistët diskutuan sfidat dhe mundësitë që partitë politike kanë për të ofruar një mjedis të sigurt dhe inkurajues për gratë dhe burrat në politikë, si ne rregullim me akte nënligjore, struktura të brendshme dhe kulturë partiake.
Liderët politikë theksuan rëndësinë e avancimit të agjendës shtetërore për fuqizimin e gruas dhe për pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën publike. Ata diskutuan rëndësinë për një proces formal në parti politike për përzgjedhjen dhe emërimin e kandidateve në listat e tyre, për të dhënë qasje në financa dhe rrjetëzime dhe për të mbrojtur gratë nga dhuna në politikë.
Panelistët, po ashtu, theksuan rëndësinë e kuotës si instrument i cili ka dhënë rezultat në përfshirjen e grave në pozita udhëheqëse. Gjithashtu, u propozua që një kuotë e tillë të reflektohet edhe në parti politike, duke kaluar nëpër ndryshime statutore, që në këtë mënyrë të krijohen mekanizma gjithëpërfshirës brenda partive politike.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se kur gratë janë të përjashtuara, atëherë vendi largohet nga demokracia dhe i ofrohet autokracisë.
“Kudo në shoqëri ne gjejmë momente e vende të në cilat gratë e ndihmojnë njëra tjetër, e ne e kemi për detyrë t’i ndihmojmë ato kur ato ndihmojnë njëra tjetrën. Gratë dhe rinia përbëjnë shumicën e popullsisë andaj nuk duhet ta harrojmë asnjëherë dhe kur t’i përpilojmë politikat tona, kur mendojmë kur shkruajmë e flasim duhet ta kemi parasysh se duhet të synojmë barazi gjinore për një barazi shoqërore”.
Kurti e mori një shembull nga jeta e tij personale derisa vizitonte një mik të tij në spital.
“E kam vizituar një mik në spital, në korridorin e spitalit shëtiste një pacient i cili infermierit burrë e quante doktor ndërsa doktoreshën e quante motër medicinale”, tha Kurti.
Memli Krasniqi: Krenar që PDK iu jep hapësirë grave në pozita vendimmarrëse

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka gjatë fjalës së tij në “Javën e Gruas” të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan, ka thënë se ndihet krenar që PDK u ka dhënë grave më së shumti hapësirë në vendimmarrje në skenën politike.
Krasniqi tha se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike e Kosovës për herë të parë ka arritur të vendosë rekord të ri me vendosjen e grave në pozicione vendimmarrëse.
“Këtë e them me krenari, me mburrje që në PDK sot pesë zonja të nderuara përfaqësuese tonat udhëheqin pesë asamble komunale, pesë parlamente lokale në komuna tepër të rëndësishme të Kosovës si Prizreni, Mitrovica, Vushtrria, Gjakova, Skenderaj. Përtej kësaj ne kemi emëruar dy nënkryetare komunash, përfshirë edhe kryeqytetin, gjë që s’ka ndodhur më herët as në Prishtinë, as në Gjilan”, tha ai.
Lideri i PDK-së tha se duhet ende angazhim që pozita e grave në shoqërinë kosovare të shënojë progres për t’u arritur objektivi i përbashkët i politikëbërësve, por, për aq kohë sa ka një rritje të numrit të grave në vendimmarrje përtej formalitetit të pjesëmarrjes në struktura apo në lista kandiduese, përtej përmbushjes së detyrimeve legale që kanë kuotat, Krasniqi beson që janë në rrugën e duhur.
“Dua të jap shembullin e Partisë Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara ne përsëri kemi qenë partia që ka pasur numrin më të madh të grave kandidate për kryetare të komunave, kemi pasur numrin më të madh, por është numër ende i vogël sepse kanë qenë katër kandidate, por megjithatë në komuna dhe qytete të rëndësishme. Përtej kësaj, ne kemi pasur edhe numrin më të madh të grave që kanë udhëhequr listat e asambleve komunale, gjithsej tetë. Po ashtu, kemi pasur përtej kuotës rreth 38 për qind kandidate në listat për asamble”, theksoi ai.
Krasniqi theksoi se Java e Gruas, është një program që ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në fuqizimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe PDK është mirënjohëse për angazhimin e NDI në këtë drejtim.
Abdixhiku: LDK çdo herë i ka dhënë prioritet gruas
E Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se si LDK kanë pasur tradicionalisht përfshirjen e gruas si të natyrshme edhe atë në kohë shumë të vështira si në kohët e 90-ta e deri tek Pavarësia e pas saj.
“Në Kosovë i kemi dy presidente gra, kemi gra në parlament që s’kanë nevojë për kuotë gjinore. Këto për partitë politike janë sinjale të rëndësishme për të rregulluar përfaqësimin e gruas brenda vetës. Duam që t’i përshpejtojmë përfshirjen e grave në të gjitha nivelet politike”, tha Abdixhiku.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, derisa foli për luftën në Ukrainë, ai th a pasojat më të mëdha atje do t’i vuajnë gratë dhe fëmijët.
“Jam i bindur që secila prej jush e të gjithë ne bashkë e dënojmë një luftë pushtuese të Rusisë, një sjellje shumë e keqe që në e kemi pa të kaluarën. Pasojat më të mëdha do t’i vuajnë femrat e atij vendi, fëmijët e atij vendi. Unë besoj që do ta vazhdojmë të bashkuar që ta përmirësojmë pozitën e gruas në Kosovë”, tha Haradinaj.
“Si AAK ne dikur kemi dashtë me vazhdu me kohën dhe kemi marr vendim me shumë aleancën e gruas mirëpo e kem rikthye sepse e kemi konstatua që është e pamundshme me vazhdu pa një organizim të tillë”
“E ndjej edhe vuajtjen e femrës kosovare të të gjitha kohërave ajo çka na intereson shumë se si do të jetë e ardhmja”, tha Haradinaj.