Me qindra demonstrues po mblidhen nëpër tubime përgjatë tërë Britanisë, pavarësisht se ky shtet ka ndaluar tubimet e mëdha për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Al Jazeera.
Kjo është java e katërt që qytetarët protestojnë kundër racizmit, përfshirë këtu qytetet si Londra, Manchesteri, Edinburghu dhe Glasgowi, transmeton KOHA.
Me qindra persona u mblodhën në tubimin “Say No To Racism” në Glasgow, kur në fillim të javës që shkoi anëtarët e së djathtës ekstreme sulmuan një tubim për të drejtat e refugjatëve.
Në Edinburgh, protestuesit bënë thirrje për heqjen e statujës së Henry Dundas nga një shesh e qytetit.
Politikani skocez i shekullit 18 ishte përgjegjës për vonimin e heqjes së tregut me skllevër në Britani për 15 vite, që përfundoi në 1807. Deri në atë vit, më shumë se gjysmë milioni afrikanë të skllavëruar u trafikuan përgjatë Atlantikut.
Komandanti i policisë së Londrës, Alex Murray, i bëri thirrje protestuesve që t’i përmbahen rregullave të distancimit social, ku limitohet tubimi i më shumë se gjashtë personave.
Policia e Londrës kishte thënë se të shtunën ka bërë 24 arrestime për shkak të sulmit, dëmtimit, dhe thyerjes së rregullit të distancimit social.
Grupi “Black Lives Matter” në Londrës refuzoi thirrjet nga policia dhe kryeministri, Boris Johnson, që të përfundojnë protestat, të cilat në shumicën e rasteve janë paqësore.
“Britania është larg nga të qenit e pafajshme sa i përket racizmit, andaj ne do të vazhdojmë, për t’ia përkujtuar këtij shteti dhe qeverisë se Jetët e Zezakëve Vlejnë”, tha ky grup të shtunën.
Me qindra mijëra protestues kanë mbajtur demonstrata kryesisht paqësore kundër racizmit përgjatë Britanisë që nga vdekja e George Floyd në Minneapolis më 25 maj, duke kërkuar që Britania të përballet me vetë historinë e saj imperialiste dhe pabarazisë racore.
Pasi qe disa protestues u përleshën me policinë dhe e dëmtuan statujën e Churchilit në Londër, dhe në Bristol demonstruesit rrezuan statujën e tregtarit me skllevër Edward Colstonit, kundër-protestuesit u tubuan javën e kaluar për ti mbrojtur këto monumente.
Me qindra aktivistë të se djathtës ekstreme u përleshën me policinë më 13 qershor afër statujës se Churchilit në Londër, të cilën e kishin rrethuar për ta mbrojtur.
Kryeministri i Britanisë Johnson ka thënë se është duke e formuar një komision për të rishqyrtuar se çka mund të bëhet më shumë për të eliminuar racizmin, por kundërshtarët e akuzojnë qeverinë Konservatore se ka shumë fjalë dhe pak punë.