Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës, kanë mbajtur konferencë për shënimin e Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë, me moton “Një shkop i bardhë, një vizion i pastër, bashkë për të drejtat e njeriut”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovë, Daut Tishuki ka folur për situatën aktuale dhe sfidat që ballafaqohen personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender në vlerë prej 250 mijë euro për blerjen e pajisjeve për këtë persona, për çka ai tha se këto janë kushtet themelore që ata të integrohen në shoqëri.
“Situata aktuale e të verbërve në Kosovë ende është e pa lakmueshme, por në sektorë të caktuara ka pak progres. Kjo javë organizohet nga viti 1964 dhe gjatë kësaj jave bëhen analizë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot. Mund të themi se akoma kemi sfida të shumta edhe pse institucionet që nga viti 2022, janë ndërgjegjësuar”.
“Vlen për tu falënderuar Ministria e Shëndetësisë që ka shpallur 250 mijë euro tender për personat e verbër. Pra mjetet ndihmëse dhe pajisjet për personat e verbër janë kushtet themelore që një i verbër të integrohet në shoqëri”, ka thënë Tishuki.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se zëri i këtyre personave po dëgjohet dhe po bëhet progres në ketë çështje.
“Është një aktivitet i përbashkët, ka manifestim të ndryshme që ka synim ngritjen e vetëdijes. Ka një progres të qeverisjes aktuale që kemi punuar vazhdueshëm në këtë progres. Natyrisht është prioritet i joni dhe po punojmë për të pasur progres”.
“Te jemi shembull, ne kemi rrugëtuar bashkë kemi bërë progres por natyrisht kemi pasur edhe sfida. Por ka marrë kaheje të mirë dhe ka progres, ju e dini se sa është punuar për ofrimin e qasjes dhe ndalimin e diskriminimit”, ka thënë Hajredini.
Luljeta Kabashi nga MAShTI, ka potencuar se është shumë e rëndësishme tëpunohet në edukimin e fëmijëve të verbër në Kosovë, raporton EO.
“E drejta për arsim është drejta themelore pa dallim. Personat e verbër kanë të drejtën për të integruar në shoqëri. Po punohet gjithnjë drejt realizmit të të drejtave”.