“Java e vdekjes”, a po kthehet ligji i Kanunit në Kosovë?

Prishtinë | 27 Gus 2016 | 10:26 | Nga

Numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar një rritje të ndjeshme nga viti i kaluar. 15 persona janë vrarë këtë vit deri në muajin korrik për dallim nga viti 2015, ku gjatë tërë vitit kishte vetëm 11 vrasje. Vetëm në shtatë ditët e fundit vendi është tronditur me gjashtë vrasje të njëpasnjëshme.

“Java e vdekjes” nisi në Ferizaj më 18 gusht, ku u vra një mashkull 20-vjeçar. Ajo vazhdoi në Gjakovë, ku në mesditën e 23 gushtit u vranë tre persona ndërsa të enjten në mbrëma në Deçan nga hakmarrja mbetën të vrarë edhe dy vëllezër.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë dhe të sigurisë kanë vlerësuar se organet e drejtësisë në Kosovë nuk janë duke funksionuar si duhet. Sipas tyre, nga ky mosfunksionim i institucioneve në fjalë qytetarët po e marrin vetë rolin e drejtësisë, duke shuar jetë njerëzish.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Policia e Kosovës, e cila ka thënë se punën e saj e kryen me shumë seriozitet.

Sipas Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, thuhet se ky institucion ka arritur që përgjatë viteve t’i zbardhë mbi 70% të rasteve.

“Nëse u referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite, Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të tilla mbi 75%”, ka thënë për “Zërin” Daut Hoxha, nga Policia e Kosovës.

 

Të ngjashme