Pas javës së modës në Londër, tani sytë janë kthyer nga një tjetër kryeqendër mode, Milano. Atje, “Benetton” ka zbritur në sfilatë me koleksionin debutues të stilistit francez, Jean-Charles de Castelbajac, që po përpiqet të ringrejë markën historike italiane.
Shfaqja që çeli javën milaneze të modës, u hap me një homazh për Karl Lagerfeld, që u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, të martën.
Më pas, modelet ndoqën njëra-tjetrën në prezantimin e koleksionit “Makina e ylberit”, që ishte vendosur në një rrobaqepësi imagjinare, ku rrobaqepës me logon “Benetton” shiheshin teksa prisnin dhe ngjisnin bashkë modele të reja.
“Puna ime e parë ishte thuajse arkeologjike. Unë gërmova në rrënjët e historisë së ‘Benetton’-it, që nisi në vitin 1965 me një njeri vizionar, Luciano Benetton, dhe një vajzë të vogël me një makinë qepëse. Ata të dy krijuan një perandori”, tha Jean-Charles de Castelbajac, stilist.
Logoja e “Benetton”-it ishte e dukshme në veshje, e printuar në ngjyra të ndezura. Po ashtu, edhe materialet e leshta ishin rikthyer, falë edhe një bashkëpunimi të ngushtë me Giuliana Benetton. 81-vjeçarja u rikthye sërish, pasi i vëllai Luciano Benetton, i zemëruar nga rënia e markës, rimori kontrollin në vitin 2017.