Javën e ardhshme, më sakt më 22 nëntor, përfaqëson ditën e afatit të fundit që ndërmarrja “Trepca” duhet ta paguajë borxhin e energjisë elektrike ndaj Kompanisë për Furnizimin me Energji Elektrike (KESCO).
KESCO po kërkon të paguhet një pjesë e konsiderueshme e borxhit që në total arrin mbi 4.5 milionë euro, nga dy llojet e furnizimit, të rregullt e të parregullt.
Gjiganti metalurgjik nuk ka para për këtë, dhe po kërkon ndihmë nga qeveria. Por edhe pse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë, zgjidhja nuk është gjetur ende, njofton Klan Kosova.
Kryeshefi i Trepçës, Enis Abdurrahmani, nuk pranoi të martën të sqarohet para kamerës lidhur me këtë ultimatum me arsyen se ka shumë takime e ne nuk po e lejojmë të punojmë me pyetjet tona. Mirëpo ai shkurt na tha në telefon se ky borxh është i akumuluar ndër vite e po e pret ndihmën e qeverisë të cilën e ka informuar lidhur me këtë situatë.
Ministria e Ekonomisë nuk dha shumë detaje me përgjigje, por tregoi se po punon për dy lloje zgjidhjesh.
“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Kosovës janë duke punuar në një zgjidhje afat-shkurtër për afatizimin e Trepçës. Për më shumë, ne jemi në diskutime të vazhdueshme me ZRrE, KEDS/ KESCO, Trepçën dhe të gjithë akterët relevantë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për të mbrojtur dhe zhvilluar industrinë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ME-së për Klan Kosova.
Në anën tjetër, KESCO ka theksuar se nuk mund të tolerojë më, pasiqë ky borxh i madh e rrezikon furnizimin edhe te konsumatorët e thjeshtë. Kjo pasi importimi i rrymës është katërfishuar në çmim, për shkak të krizës energjetike.
“E kemi mirëkuptuar Trepçën si konglomerat industrial, si jetik për Kosovën, mirëpo kjo nuk mund të vazhdojë pa kufi. Sepse edhe ne duhet t’i marrim mjetet për mallin që e kemi dërguar atje, në mënyrë që ta vazhdojmë kontinuitetin e shërbimeve”, deklaroi zëdhënësi i Viktor Buzhala.
Trepça është e varur kryekëput nga energjia elektrike. Nëse në horizontet e minierës ndalet rryma për vetëm tri orë, sipas inxhinierëve të saj, duhen disa vite për t’i riparuar.