Nga mbledhja e fundit me ministrat e kabinetit Rama 2, kreu qeverisë shqiptare tha se ky mandat i dytë katër vjeçar mbyllet me një notë pozitive paçka se tërmeti dhe pandemia Covid 19 ndryshoi prioritetet, duke theksuar se ishin sfida ekstreme që shfaqen ne rrugën e një qeverie një herë në 100 vjet.Edi Rama nuk rikonfirmoi asnjë prej ministrave që kishte përballë por tregoi se kur do ta shpallë skuadrën Rama3.
Duke i bërë një bilanc konciz për çdo ministri Edi Rama vlerësojë përballjen 18 mujore me pandeminë, realizimin e projekteve infrastrukturore si aeroporti Kukësit, për të vazhduar në mandatin e tretë me aeroportet Vlorë, Sarandë dhe mbarimin e Rrugës së Arbërit për të cilën tha se punimet janë brenda afateve.Edi Rama vlerësoi procesin e shërbimeve dixhitale përfshi atë të fiskalizimit që do të sjellë sipas tij një hov në ekonomi.
Për tu bërë kampionë të Ballkanit në turizëm Edi Rama kërkoi një qasje të re me menaxhimin e plehrave dhe lejet e plazhit.
Ndërsa policisë së shtetit tha Edi Rama i nevojitet një marsh i ri.
Një theks të posaçëm Edi Rama e vendosi tek situate sot me variantin Delta të Covid 19.
“Fatkeqësisht kemi ende fatalitet edhe sot që flasim, disa jetë janë në rrezik serioz në pavijonin e terapisë intensive të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ato janë edhe një mësim domethënës fare konkretë për të gjithë për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar ndër 80 persona të shtruar në spital nuk shfaqin shenja.
Prandaj shfrytëzoj rastin t’ju bëj apel atyre që ende nuk e kanë bërë vaksinën të mos humbasin kohë dhe as të mos rrinë në pritje duke rrezikuar infektimin pa pasur imunitetin e garantuar nga vaksina me mendimin e gabuar se Pfizer bën e Sinovac nuk bën, por të përfitojë një orë e më parë nga mundësia e vaksinimit për të gjithë”, u shpreh Rama.
Edi Rama falënderoi mjeken Najada Çomo për të cilën tregoi se i kërkoi të pranonte dorëheqjen si deputete e zgjedhur për mos tu ndarë nga ekipi i saj në sfidën e radhës me variantin Delta./TCH/.