Universiteti i Prishtinës po shkon drejt një shtyrje të re të zgjedhjeve të brendshme. Rektori, Senatorët, Këshillat Mësimorë pritet të votohen në tetor. Rektori në largim Marjan Dema dhe Sekretari i Përgjithshëm i UP’së kanë thënë se vendimin final e merr Këshilli Drejtues. Para se të shpërthente pandemia ishte paraparë që zgjedhjet të përfundonin më 15 maj.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë se ende s’ka një vendim për shtyrje të reja të zgjedhjeve të brendshme në universitetin më të madh publik në Kosovë. ka thënë se vendimi përfundimtar do të merret nga organi më i lartë i UP’së që është Këshilli Drejtues.
“Nuk janë shtyer zgjedhjet studentore më 1 tetor, Këshilli Drejtues vendosë me KQZ’në, pastaj KQZ’ja merret me këtë çështje”, tha rektori Marjan Dema, në një përgjigje për Express.
Zgjedhjet ishin planifikuar të përfundonin më 15 maj me zgjedhjen e Rektorit të ri.
Mirëpo, ky afat është shtyrë për shkak të pandemisë dhe mbylljes së universitetit.
Disa organizata studentore kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në UP për faktin se studentët s’mund të mbajnë procesin elektoral të brendshëm pasi universitetet janë të mbyllura si pasojë e COVID-19
Edhe Sekretari i UP’së, Esat Kelmendi ka thënë se zgjedhjet nuk janë shtyrë derisa për një vendim të tillë do të vendoset në mbledhjen e radhës së këshillit drejtues.
“Zgjedhjet nuk janë shtyrë me datë 1 tetor, Këshill Drejtues vendosë lidhur me zgjedhjet studentore. KD mund të mblidhet gjatë javës tjetër ose në javën e parë të qershorit”, tha Esat Kelmendi, Sekretar i Përgjithshëm i UP’së
Deri më tash janë përmendur disa emra për Rektor në mesin e të cilëve Naser Sahiti i cili përkrahet nga një pjesë e PDK’së brenda UP’së. Ndërkaq, edhe prorektori aktual Faton Berisha është përmendur se ka kërkuar përkrahjen e LDK’së për të marrë nën menaxhim Universitetin e Prishtinës. Emra tjera në garë për rektor janë përmendur edhe Bujar Dugolli, Behgjet Mustafa, Syzana Manxhuka-Kerliu, Isa Elezaj.
Universiteti i Prishtinës nga paslufta është udhëhequr kryesisht nga njerëz të afërt me partitë në pushtet. I tillë ishte edhe Mujë Rugova (2009-2012) i cili ishte emëruar Rektor kur kishte edhe pozitë në PDK. Pastaj kishte ardhur Ibrahim Gashi i AKR’së i cili qe detyruar të jepte dorëheqje për shkak të protestave kundër tij. Për një kohë pozitën e Rektorit e kishte mbajtur Ramadan Zejnullahu, i cili kishte nisur reformat në Universitetin e Prishtinës.
Rektori i fundit, ish-Kryetar i PSHDK’së, Marjan Dema erdhi në krye të Universiteti si kompromis i PDK’së, e cila i kishte premtuar demokristianëve një pozitë ministrore në këmbim të përkrahjes në zgjedhjet nacionale.
Aktualisht, UP rangohet si universiteti më i mirë në trevat shqipfolëse.