Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e shpalosjes së Platformës së Fillimit të Ri në Dukagjin, është ndalur sot pasdite në Istog.
Para anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së të këtij qyteti, Veseli ka paraqitur shtyllat kryesore në të cilat bazohet Fillimi i Ri, si platforma më serioze dhe realiste e cila i është prezantuar qytetarëve në këtë garë zgjedhore.
Ai ka thënë se orientimi dhe angazhimi kryesor i qeverisjes së pas 11 qershorit, do të jetë zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, nëpërmjet mbështetjes së fuqishme për bizneset dhe sipërmarrësit, për fermerët, për gratë dhe të rinjtë.
“Do të fuqizojmë në mënyrë të veçantë bujqësinë. Do të rriten subvencionet dhe grantet, do të cilat do të mundësojnë kalimin nga një bujqësi tradicionale, në atë industriale, në një bujqësi që rrit prodhimin vendor, rrit eksportin dhe ulë importin nga vendet e huaja”, theksoi Veseli.
Ai tha se çdo ditë e më tepër po sheh entuziazëm gjithandej Kosovës, në çdo shtëpi dhe te çdo shqiptar ku është shpërndarë Fillimi i Ri, si shpresa e vetme për forcim të sovranitetit dhe zhvillim të vendit.
“Disa i ka kapur zori se pse jemi bërë bashkë, në koalicionin e lirisë. Ne jemi bërë bashkë për qytetarët tanë, Kosovën tonë të dashur dhe jo për egon e pushtetit. Jemi bërë bashkë kundër atyre që mendojnë ta cenojnë Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Istogut që më 11 qershor, para se të votojnë, të mendojnë kush mund ta mbrojë Kosovën nëse ajo rrezikohet, kush i garanton sovranitet këtij vendi më shumë se sa ky koalicion?
“Mendoni, a mund ta zhvillojë Kosovën një vizion stagnues, i cili nuk merr kurrë vendime? A mund ta zhvillojë Kosovën dhe lartësojë flamurin tonë kombëtar dhe atë shtetëror, një koncept i cili e mohon shtetësinë dhe flamurin, ndërsa i përdorë ato vetëm kur i duhen për karrige? Kush dëshiron shtet të fuqishëm, me sovranitet të pacenuar, shtet të zhvilluar ekonomikisht, me perspektivë për të rinjtë, me miqësi të përhershme me SHBA-të dhe partnerët perëndimorë, më 11 qershor duhet ta votojë Fillimin e Ri”, ka theksuar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.