Kur po i lexoj disa statuse të disa individëve se si po shfryjnë vrer ndaj Shqipërisë dhe po e quajnë vetën kosovarë e jo shqiptarë, po më krijohet përshtypja që ne më shumë paskemi qenë në hallë nga të qenit shqiptarë sesa prej Serbisë.
Po të pranoni atëherë sa ishim në Jugosllavi që të ndërronim identitetin dhe të mos quheshim shqiptarë, Serbia nuk do të na kishte vrarë e as burgosur, ashtu siç na bëri me dakada. Thjesht më lehtë do të ishte të mbeteshim nën Serbinë, meqë “nuk qenka e rëndësishme nëse jemi shqiptarë apo kosovarë”.
Në të vërtetë është krejt e kundërta. Pikërisht këmbëngulja e jonë, e të gjithë shqiptarëve në ish Jugosllavi, që të mos tjetërsohemi por të mbetemi shqiptarë, na përballi me të gjitha ato përjetime, vuajtje, tortura e vrasje në masë, që përfunduan me luftën e UÇK-së.
Të jesh shtetas i Kosovës nuk do të thotë se nuk je shqiptar, thjeshtë je shqiptar shtetas i Kosovës. Vetëm ky parim funksionon. Pra ka shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, Greqi, Zvicër, Gjermani, SHBA etj., dhe pa marrë parasysh a bashkohemi a jo në një shtet, ne jemi një komb dhe kjo nuk krijon asnjë telashe.
Natyrisht e gjithë kjo tendencë nga individë, për shkombëtarizim, është përcjellë me një plan. Nëpërmjet të disa individëve disa me dashje e disa pa dashje filluan ta sulmojnë gjuhën standarde nga ata që nuk e njihnin as të folmen e mëhallës së vet. Dhe kjo nuk ndodhi rastësisht, sepse gjuha është shtylla kryesore (jo e vetme) që e përbën një komb.
Sigurisht kam shumë për të thënë rreth kësaj teme, por po e lë më kaq. Sepse nuk ndihem mirë sa herë përfshihem në kësi debati.
Për fund po ua përkujtoj një shembull të fundit nga Maqedonia e Veriut. Ata pranuan ta ndërrojnë emrin e shtetit dhe me të drejtë po e quajnë një sakrificë të madhe për një shtet, por nuk pranuan ta ndërrojnë emërimin e tyre etnik.
Pra në Maqedoninë e Veriut popullata shumicë quhen Maqedonas e jo Maqedono veriorë.