Në ShBA, amandamenti i dytë kushtetues, e drejta me bart armë egziston për shkak se themeluesit e shtetit kanë supozuar skenar kur shteti është shtypës, qytetarët kanë të drejtë të kenë armë dhe e kanë detyrë qytetare të rezistojnë shtypje të tillë.
Pra obligim/detyrë, jo dëshirë e vullnet. Për opresionin, shtypjen, zullumin që e kemi përjetu vetëm pse kemi qenë shqiptarë e dijmë krejt. Edhe familja ime që nuk ka qenë shumë e përfshirë në rezistencën e armatosur ka pësuar në Prishtinë e Mitrovicë e lere më nëpër fshatra e zona të targetuara. Djalin e hallës që mendim të keq nuk ka pas në kokë e kanë marr në shtëpi dhe kur babai i tij ska pranuar ta lëshoj vetë e kanë marr edhe të. Njërit i kanë prerë fytin e tjetrin e kanë goditur me plumb në kokë në distancë as një cm. Ekzekutime brutale. Djalin e tezës në Vushtri e kanë marr nga shtëpia dhe e kemi gjetur pas luftës të ekzekutuar.
Shumica kemi ikur nga detyra të bëjmë rezistencë të armatosur. Disa jo. Disa u bënë UÇK, me qëllimin e rezistencës dhe çlirimit. Atë paqësore e kishim provuar. Nuk arritëm të çlirohemi me takime e protesta.
A ka pas sulme në polici? Patjetër sepse ky është definicioni i rezistencës së armatosur. A ka pas krime ndaj civilëve? Besoj se po dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi kryesit e veprave. Disa kanë qenë veprime hakmarrjeje që mund të kuptohen por jo arsyetohen.
Ato krime duhet të gjykohen dhe të gjendet e vërteta për secilën viktimë.
Por gjykimi nuk po duket i tillë. Ndërmarrja e përbashkët kriminale nënkupton që krerët e UÇK janë lidhur kriminalisht për të kryer krime lufte. Sipas prokurorisë, Hashimi, Jakupi, Kadria dhe Rexhepi janë mbledhur dhe kanë organizuar UÇK-në për të kryer krime lufte e për të vrarë civil.
Për këtë duhet të jemi krejt në bankën e të akuzuarve, sepse nqs organizimi i rezistencës qenka krimi atëherë krejt jemi fajtor edhe pse disa se kane përmbush këtë detyrë.
UÇK-në nuk e mitizoj as nuk dua ta ngris në diçka hyjnore. As nuk po flas se çka kanë bërë secili prej tyre në politikë e korrupsion e debate tjera pas luftës.
Rexhën e kam shok, Jakup Krasniqin e kam takuar disa herë e Hashim Thaqin e Kadri Veselin i kam luftuar politikisht sa kam mujt.
Por sot nuk i ndaj. Nuk i ndaj as nga ne. Kjo ndërmarrje e përbashkët “kriminale” është ndërmarrja jonë e përbashkët çliruese. Ne jemi me aktakuzë sot! Aktakuzë pse rezistuam! Në këtë akuzë të pafajshëm po dalin vetëm kriminelët e vërtetë. Ata që prenë në fyt e na vranë me revole në ballë.
Prandaj s’e kuptoj debatin tonë. Prandaj s’e kuptoj heshtjen. Prandaj s’e kuptoj ndarjen e të katërve nëpër parti.
Nuk dua të tingëlloj folklorik, sepse UÇK nuk ka qenë diçka mbinatyrore. Ka qenë rezistencë me takat, qaq sa kemi mujt. 1 përqind e popullatës. Nuk dua të tingëlloj amnistues sepse çdo krim duhet të zbardhet, dhe duhet të gjykohet. Por as nuk dua të hesht, sepse ashtu pranoj të gjykohet organizimi i UÇK dhe qëllimi i çlirimit sepse atë pjesë e kemi jetuar të gjithë. Në qoftë se këta janë fajtor, atëherë vetëm ushtarët po mbesin. Ata kanë rezistuar drejtë, sepse urdhërat nga lartë na paskan qenë në drejtim të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Ndërmarrja e vetme e UÇK-së ka qenë ajo e përbashkëta çliruese.
P.S. Akuza për heshtje i drejtohet posaçërisht Presidentes e Kryeministrit. As juve nuk ju ndaj nga ne. Arsyetimi se ju është kërkuar të mos komentojnë nuk pin ujë sepse tashmë kanë komentuar çdo gjë tjetër. Njoftimi për kandidimin e Kosovës për lojëra mesdhetare në ditën që fillon gjyqi ndaj neve është jo vetëm injorues por edhe ofendues.
Të gjithë, edhe pushtet edhe opozitë, harroni votat në këtë moment. I pari do të flas kundër krimeve individuale dhe do mbroj çdo viktimë të pafajshme, por edhe i pari do shaj padrejtësinë. S’vlen asnjë pozitë e asnjë votë të çahemi në këtë.