Jemi në pubertet kolektiv, të ndalim frymën antiamerikane dhe t’i kërkojmë falje mikut apo babait tonë, SHBA-ve

Prishtinë | 11 Qer 2023 | 10:55 | Nga Agim Shahini

Kemi problem me kryeministrin Kurti; ai nuk ka instinktin e bashkëpunimit; na dhemb që kosovarët mendojnë se ne jemi me Serbinë; na vjen keq që Kosova mund të sanksionohet sepse nuk ndjek këshillat tona për sigurinë; nëse nuk do të ishte KFOR-i në Veri, mund të kishte të vdekur… janë vetëm disa prej fjalive dramatike që po dëgjojmë nga goja e miqve tanë të mëdhenj, përfaqësuesve më të lartë të SHBA-ve. Këto fjali parathonë një gjendje të frikshme në marrëdhëniet me SHBA-të, që as mund ta imagjinonim në 1999 kur u cliruam prej aleancës më të fortë në botë, udhëhequr prej amerikanëve.

Lexoni ndërkohë çfarë thonë disa nga liderët tanë, apo bashkëvendasit tanë në rrjete sociale dhe paraqitje, në biseda të zakonshme për udhëheqësit e SHBA-ve. Fjali monstruoze, të tmerrshme, plot mosmirënjohje, egocentrike, vetëvrasëse, dëmtuese për të ardhmen tonë si shtet, për të ardhmen e fëmijëve tanë. A thua se jemi shteti më i madh në botë? A e dimë se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë në botë? Kaq shpejt e harruam se kush na krijoi, kush ishin nunët e krijimit të shtetit tonë, baballarët në një kuptim figurativ? Ngjarjet nuk janë të largëta lufta gjaku rezistenca dhe Çlirimi, vetëm 25 vjet më parë. Ku ishim!

Pse kemi mbërritur këtu? Nuk dua të zgjatem, por jeta e shteteve i ngjan jetës së individëve. individi ka një moshë puberteti ku i flasin emocionet para trurit. Shteti jonë është në moshë puberteti, 15 vjet i ri. Rrëmbehemi, nuk mendojmë gjatë, jemi të papjekur.Na mungojnë burrat e urtë si Rugova, si Agani, tē fortë si Adem Jashari e vizionar si Thaqi që të na këshillojnë.

Epo, mendoj se tash biznesi duhet ta thotë fuqishëm fjalën e vet. Në jetën e shteteve megjithatë biznesi shpesh është para politikës. Ai arsyeton me mendje dhe jo emocione. Ni është para pjesës tjetër të shoqërisë. Jo pse ne nuk kemi viktima në mes të familjarëve tanë,po edhe kemi por ne jemi të projektuar kah e ardhmja, kah paqja, sepse nuk ka prosperitet pa paqe dhe pajtim; nuk ka shkëmbime, nuk ka biznes me fqinjin a me rajonin nëse vepron me emocione dhe jo me përgjegjësi e llogari.

Ne duhet të organizojmë forume me nxitjen tonë ku të ftojmë politikanë dhe qytetarë dhe të shpjegojmë situatën ku gjendemi. çfarë rrezikojmë. çfarë humbim. Të bëjmë thirrje për qetësi. Për paqe. Do ta kuptojmë sa shumë po gabojmë dhe në çfarë tuneli po hyjmë. Ta ndalim këtë histeri antiamerikane që gëzon shumë Serbinë dhe nëpërmjet saj Rusinë, si thoshte një ekspert amerikan në Nju jork Tajms. T’I kërkojmë falje mikut, bashkëpronarit të shtëpisë sonë, SHBA-ve dhe NATO-s, amerikanëve që janë baballarët e shtetit tonë në një kuptim jo thjesht figurativ. Të na mirkuptojë se jemi të papjekur, të rinj dhe axhamij. Të na i falë gabimet.

Të bëhemi bashkë si organizata biznesi dhe të mos na përdori politika. Të mos na shpjegojë politika ne se çfarë është bashkëpunimi rajonal, çfarë është Ballkani i hapur, çfarë janë fqinjët tanë serbë apo malazezë e tjerë. Politika të mos na shpikë konspirativizma se Shqipëria qenka me Serbinë dhe të ushqejë me helm antiShqipëri krejt shoqërinë. Duhet të na vijë turp nga vetja. Duhet të piqemi dhe të dalim nga puberteti. Sot, nesër është vonë.

Të ngjashme