Jennifer Aniston dhuron 1 milion dollarë në luftën kundër racizmit

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Aktorja e famshme hollywoodiane, Jennifer Aniston, i ka dhuruar 1 milion dollarë për luftën kundër racizmit në Amerikë, duke e dhënë përkrahjen e saj për lëvizjen “Black Lives Matter”.

Ylli i serisë “Friends” i ka dhuruar të hollat për fondacionin bamirës, “Color Of Change”, që e përkrahë këtë lëvizje të krijuar pas vrasjes mizore të George Floydit, nga një polic në Minnesota.

Një burim i afërt i aktores ka thënë për gazetën, “Sunday Mirror”: Sikurse shumica e njerëzve, Jen është prekur jashtë mase nga situata e fundit në Amerikë dhe padrejtësia e tmerrshme me të cilën ballafaqohen afrikano-amerikanët çdo ditë. Ajo dëshiron ta shfaq përkrahjen e saj duke e dhuruar një shumë të madhe të hollash, për organizatën bamirëse e cila konsideron është më e përshtatshmja.”

Pak ditë më parë, teksa po fliste për racizmin dhe padrejtësinë, Aniston e kishte pranuar që java e kaluar ishte “zemërthyer” për të dhe të gjithë njerëzit që duan ta luftojnë këtë fenomen të keq në Amerikë.

Duke iu bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë për organizatat bamirëse të cilat i përkrahin komunitetet që përballen me racizmin në vend, aktorja në Instagramin e saj kishte shkruar: “Kjo javë ka qenë zemërthyese për shumë arsye. Ne duhet ta pranojmë se racizmi dhe brutaliteti ka kohë që po ndodhë në këtë vend, dhe kjo kurrë nuk ka qenë në rregull. Si aleat të cilët duan barazi dhe paqe, është përgjegjësia jonë të bëjmë zhurmë, të kërkojmë drejtësi, ta edukojmë veten në këto çështje si dhe të shpërndajmë dashuri”.

Aniston e përfundoi mesazhin duke iu bërë thirrje fansave të saj, që të mos lejojnë të kalojë më shumë kohë pa u bërë ndryshime drastike në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme