50 vjeçare dhe e mrekullueshme!
Jennifer Aniston do ta festojë ditëlindjen e saj të hënën më 11 shkurt.
Në ndërkohë një burim pranë aktores ka thënë për revistën “Us Weekly” se aktorja po ndihet mrekullueshëm për këtë gjë.
“Ajo nuk brengoset për numrin 50. Ajo e ndjen se jeta, me kalimin e viteve, po bëhet gjithnjë e më mirë dhe ajo nuk sheh prapa. Aq më e vjetër që bëhet, aq më mirë ndihet me moshën dhe gjithë atë çfarë përfaqëson. Ajo ndihet mirë dhe është e lumtur”, ka thënë ky burim, transmeton Klan Kosova.
Kjo ditëlindje jubilare vjen një vit pasi ajo dhe bashkëshorti i saj Justin Theroux kanë konfirmuar se janë ndarë pas më shumë se dy vjetësh martesë dhe shtatë vjetësh së bashku.
“Ne jemi dy miq të ngushtë që kemi vendosur të ndajmë rrugët tona si çift, por ne do ta vazhdojmë miqësinë tonë të bukur. Mbi të gjitha, ne jemi të vendosur të ruajmë respektin dhe dashurinë qe kemi për njëri-tjetrin”, kishin thënë ata në një deklaratë të përbashkët kur e bënë publike ndarjen.
Aniston dhe Theroux kishin nisur lidhjen e tyre në vitin 2011. Më vonë, ata u martuan me një ceremoni sekrete më 5 gusht 2015, pak ditë para ditëlindjes së 44-të të Theroux.
Megjithatë ajo duket se tashmë është e gatshme edhe për një lidhje të re.
“Ajo nuk është e brengosur që ta nisë një lidhje të re dashurie. Megjithatë kjo nuk është një prioritet për të. Të qenit beqare, në këtë fazë të jetës, është në rregull për të”, ka thënë tutje ky burim.
I njëjti burim pranë aktores së njohur ka thënë se Aniston është e fokusuar në punën, miqtë e saj dhe më së shumti kujdesi për veten.