Kurt Volker ka dhënë dorëheqje nga pozita e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, disa ditë pasi u përfshi në një polemikë mbi vendimin e presidentit, Donald Trump për të bllokuar ndihmën ushtarake për Kievin.
Universiteti shtetëror i Arizonës, ku Volker punon, konfirmoi raportimet e CNN, The New York Times dhe disa mediave tjera, se Volker ka dhnë dorëheqje.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk e kanë konfirmuar këtë lajm.
Emri i Volker është përmendur në ankesën e një informatori, i cili ka alarmuar mbi vendimet e Trumpit me Ukrainën, ku sipas informatorit, presidenti amerikan ka bllokuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, shtet i cili po lufton me separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të vendit, që prej vitit 2014.
Dhoma e Përfaqësuesve po ashtu ka kërkuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo që të dorëzojë dokumentet e nevojshme për hetimet lidhur me procedurën e shkarkimit të Trumpit.