Kryetari i Komisionit Disiplinor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, Shpend Haxhibeqiri, ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Demokracia.com ka mësuar se Haxhibeqiri ka dhënë dorëheqje për shkak të presioneve që ka pasur kohëve të fundit.
I kontaktuar rreth kësaj çështjeje, Haxhibeqiri nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar se është dorëhequr nga pozita që ka mbajtur deri tash.
“Drejtohuni në Zyrën për Media. Aty i merrni të gjitha informacionet”, ka thënë Haxhibeqiri për Demokracia.com.
Demokracia.com i ka dërguar pyetje edhe Zyrës për Media të QKUK-së dhe ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e QKUK-së, Valbon Krasniqin, por deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje.
Këtë të shtunë, Demokracia.com ka raportuar për përzgjedhjet politike të drejtorëve të spitaleve rajonale, si në rastin e Gjilanit dhe Pejës. Lidhur me këto procese, kandidatët e eliminuar padrejtësisht kanë pohuar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore në kërkim dhe realizim të të drejtave të tyre.