Ministri i Kulturës së Maqedonisë Veriore, Asaf Ademi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit. Ai thotë se dorëheqjen e tij e ka dorëzuar për shkaqe shëndetësore.
Ademi thotë se ka qenë sfidë që ta përfaqësojë Alternativën në mënyrë dinjitoze dhe të ndershme, ndërsa thekson se pas kësaj përvoje politike e ka marrë vesh edhe një herë se fytyre është më e rëndësishme se çdo gjë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Më poshtë e keni të plotë postimin e Asaf Ademit:
“Jam sot këtu që t’ju njoftoj për një vendim që e kemi marrë bashkë me Kryetarin e Alternativës, mikun tim Afrim Gashi, dhe kolegët e tjerë të Kryesisë Qendrore.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore, të mbajtur më 22 prill 2019, unë kërkova nga Kryetari dhe nga Kryesia Qendrore që të më lejojnë të tërhiqem nga detyra e ministrit të Kulturës. Pas shpjegimeve dhe arsyetimeve të mia, që kanë të bëjnë me arsye shëndetësore, Kryesia Qendrore e pranoi kërkesën time, por që të mos ndikojmë në procesin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale, vendosëm që publikimin e saj ta bëjmë pas përfundimit të procesit.
Me këtë rast dëshiroj ta falënderoj kryetarin e partisë dhe kolegët e Kryesisë Qendrore që më dhanë besimin dhe më mbështetën në këtë rrugë, si dhe të gjithë mbështetësit e bashkëpunëtorët e tjerë që e vlerësuan dhe ndihmuan punën tonë në Ministrinë e Kulturës.
Për mua ka qenë sfidë që ta përfaqësoj Alternativën në mënyrë dinjitoze dhe të ndershme, ndërsa mbetem optimist se ia kam dalë mbanë kësaj detyre. Gjithsesi opinioni do ta vlerësojë më mirë dhe më saktë. Sidoqoftë, unë vazhdoj të mbetem në partinë time mëmë, në Alternativa, dhe t’i shërbej asaj në detyrat e reja, që më presin në të ardhmen.
Dua të ritheksoj, po ashtu, se pas kësaj përvoje politike edhe njëherë e kam marrë vesh një gjë: në jetë, mbi të gjitha, është e rëndësishme fytyra. Jam sot këtu para jush dhe para të gjithë qytetarëve njësoj siç kam qenë edhe para se të jem ministër. Nuk kam nevojë as të fshihem nga askush, as të ankohem nga askush. Ne folëm për drejtësi dhe Unë qeverisa me drejtësi. Ne folëm për transparencë dhe Unë qeverisa me transparencë. Ne folëm për moral dhe Unë qeverisa me ZERO korrupsion. Ne folëm për respektim të ligjit dhe qeverisja jonë sot e ka atributin “ligjore” dhe sot në Ministrinë e Kulturës i keni të avancuar dhjetëra të punësuar që askush nuk i ka pyetur se çfarë partie janë. Prandaj, ju them se ne nuk turpërohemi të dalim para jush dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për një politikan.
Këtu dua t’ju njoftoj se dorëheqjen time zyrtare dhe formale, i’a dorëzova edhe Kryeministrit, z. Zoran Zaev, të cilin po ashtu e falënderoj për bashkëpunimin korrekt, ndërsa deri në emërimin e ministrit të ri do të vazhdoj ta ushtroj detyrën dhe t’i përmbush detyrimet e mia zyrtare në Ministrinë e Kulturës”.