Kryeekzekutivi i Boeingut, Dennis Muilenburg ka dhënë dorëheqjen, teksa kompania po kalon krizë lidhur me aeroplanët e saj “737 Max”.
Ndryshimi në drejtimin e kompanisë bëhet pas njoftimit të Boeingut javën e kaluar se do të ndalojë prodhimin e tipit Max gjatë muajit të ardhshëm, përcjell Telegrafi.
Fluturimet e këtij tipi avioni në mbarë botën u pezulluan në mars pas dy rrëzimeve vdekjeprurëse.
Muilenburgu shprehu ngushëllime për viktimat e të dy aksidenteve.
“Neve të Boeingut na vjen keq për jetët e humbura në aksidentet e fundit të aeroplanëve 737 Max. Këto tragjedi vazhdojnë të peshojnë shumë në zemrat dhe mendjet tona dhe ne u shprehim ngushëllimet tona njerëzve të dashur të udhëtarëve dhe të ekuipazhit në bordin e aeroplanit të fluturimit 610 të kompanisë Lion Air dhe të fluturimit 302 të Ethiopian Airlines”, shprehet ai.
Në një deklaratë të kompanisë thuhet se ndryshimi në udhëheqjen e saj është i nevojshëm për të rikthyer besimin e publikut te Boeingu.
Kryetari i tanishëm David Calhoun do të marrë zyrtarisht postin e Muilenburgut më 13 janar 2020.