Shefi i Urgjencës në QKMF’në “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, Leotrim Kurteshi, ka thënë se ka dhënë dorëheqje “për arsye morale e profesionale për skandalet e të tjerëve”. Ai e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që ta hetojë rastin.
“Ju njoftojë se jap dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në QKMF-në “Dr.Nagip Rexhepi” -Gjilan. Për arsye morale e profesionale për skandalet e të tjerëve. Ftoj Prokurorin e Shtetit të hetojë rastin”, ka shkruar ai.
Kurteshi ka thënë se “shkaku i superskandaleve” është se mjeku i Urgjencës nuk i përgjigjet thirrjes së pacientit për ndihmë dhe pacienti ka ndërruar jetë.
“Shkaku i superskandaleve është se mjeku i Urgjencës nuk i përgjigjet thirrjes së pacientit për ndihmë (nuk shkon fare); për fatkeqësi, pacienti ka ndërruar jetë. Infermierë të Urgjencës në orarë të punës janë vërejtur duke pirë kafe në një kafiteri pranë QKMF-së.”
Ai ka thënë se ka organizuar mbledhje për këtë cështje po drejtori i QKMF’së, zëvendësdrejtoresha, kryeshefja dhe koordinatorja e cilësisë nuk kanë marrë pjesë në këtë mbledhje.
“Kam organizuar mbledhje të Urgjencës për të shprehur shqetësimin për këto raste dhe kam ftuar drejtorin e QKMF-së, zëvendësdrejtoreshën, kryeshefen, kordinatoren e cilësisë për të marrë pjesë. Dhe për çudi. Ata NUK KANË ARDHUR ?! Kanë kaluar gati 1 muaj, ndërsa drejtori i QKMF-së HESHT.”
Kurteshi ka shkruar se para dy ditësh i është thënë se është përgatitur shkarkimi i tij.
“Jo më larg se para 2 ditësh më thotë se është përgatitur shkarkimi juaj?! * Cilin shkarkim, për mbulimin e skandaleve të njëpasnjëshme të institucionit shëndetësor që po “mirëmenaxhohet”? * Apo shkarkimin për të heshtur bashkë me ju?!”
Ai ka thënë se kryetari i komunës, drejtoresha e Shëndetësisë, drejtori i QKMF’së dhe menaxhmenti po heshtin.
“Kryetari i Komunës, Drejtoresha e Drejtoratit të Shëndetësis, Drejtori i QKMF-së “Dr.Nagip Rexhepi” dhe komplet menaxhmenti HESHT! Po si duket nuk ju ka bërë përshtypje humbja e jetës së njeriut, neglizhenca mjekësore, mospërmbushja e detyrave të punës nga disa puntorë, mosveprime që kanë shkaktuar pasoja dhe aq më pak që gjitha këto raste i kam paraqitur me kohë, dhe nuk keni marrë mundin as të përgjigjeni përmes një letre të vetme. E çuditëshme!!!”
Kurteshi ka thënë se më 29 qershor një burrë është paraqitur në urgjencën e QKMF’së me ankesën se e ka thirrur shërbimin e urgjencës dhe ekipi nuk ka shkuar në rast. Ai ka shtuar se vërejtje me shkrim ka marrë ndaj doktorit dhe dy infermierëve.
“1. Me datën 29.06.2024, një ankues mashkull është paraqitur në urgjencën e QKMF-së me ankesë se ka thirrur shërbimin e Urgjencës në orën 6:20 dhe ekipa nuk ka shkuar në rast. Ndaj doktorit dhe dy infermierëve kam marrë masa të vërejtjes me shkrim për shkelje disiplinore dhe po ndaj të njëjtëve kam kërkuar inicimin e procedurës disiplinore.”
Ish shefi i urgjencës ka thënë se “rasti është lënë në dorë të ekipit pasardhës, pa një adresë dhe numër telefoni për personin që ka telefonuar”.
“Nuk janë informuar saktësisht kur është bërë thirrja dhe është shtrembëruar e vërteta. Ekipa pasardhëse ka hasur në rezistencë të familjarëve të pacientit për shkak të vonimit tuaj dhe gjendja e familjarit tonë është përkeqësuar. Për fatkeqësi, pacienti ka ndërruar jetë.”