Aktorja 36-vjeçare Jessie Buckley ka fituar çmimin për “Aktoren më të Mirë në Rol Kryesor” për filmin “Hamnet” në BAFTA Film Awards, që u mbajtën në Londër të dielën (22 shkurt 2026).
Tashmë ajo është në garë edhe për çmimin më të madh të aktrimit në Academy Awards që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Megjithatë, Buckley ka pranuar se e ka të vështirë të kalojë nga roli i nënës që ndërron pelenat e vajzës së saj, te paraqitjet glamuroze në tepihun e kuq.
“Kam momente shumë të ndryshme në kohë të ndryshme. Ndonjëherë nuk arrin ta përthithësh çfarë po ndodh. Ndonjëherë thjesht je duke ndërruar një pelenë dhe je shumë mirënjohëse për atë pelenë, si me thënë: ‘Jam njeri i vërtetë!’. Pastaj ka momente kur mendon: ‘Çfarë?! Kjo nuk ndodh në një jetë’”, ka thënë ajo në një intervistë për podcastin Awards Chatter të The Hollywood Reporter
Ajo ka treguar se një moment i tillë i ndodhi në drekën e të nominuarve për “Oscar”, kur të gjithë po ngjiteshin në skenë për fotografinë zyrtare të klasës së atij viti.
“Ishte diçka shumë e pafajshme në atë moment, por unë isha aty me Paul Thomas Anderson dhe Chloé dhe Delroy Lindo, këta artistë të jashtëzakonshëm. Në imagjinatën time më të egër, kur isha e re, kurrë nuk kam menduar se do të isha qoftë edhe afër një situate të tillë”, ka thënë ajo.
Aktorja ka folur edhe për presionin e paraqitjeve në ngjarje si “Critics Choice Awards” dhe “Golden Globe Awards”.
“Po, ‘Critics Choice’ dhe ‘Golden Globes’ janë të frikshme: njerëzit kalojnë dy orë pasi ti ke ndërruar një pelenë duke u përpjekur të të bëjnë të dukesh shkëlqyeshëm, ndërkohë që ti ndihesh si: ‘Do të doja të më përpinte toka’ ose ‘Si duhet të jem unë në këto ambiente? Nuk duhet të jem këtu’. Por pastaj futesh në ato ambiente dhe e kupton që secili prej nesh ka krijuar diçka, dhe të krijosh çfarëdo qoftë është një triumf i madh”, ka thënë ylli.
Ajo ka thënë se është shumë krenare dhe e nderuar të qëndrojë përkrah artistëve të jashtëzakonshëm që e kanë frymëzuar gjatë gjithë jetës në mënyra që nuk mendon se ka fjalorin apo aftësinë për ta shprehur.
“Ky është një moment në kohë, dhe unë do të vazhdoj përpara, do të krijoj gjëra të tjera. Kemi vetëm një jetë. Dhe mendoj se kur të kthehem pas, do të them: ‘O Zot!’”, ka thënë ajo.
Buckley u bë nënë për herë të parë vitin e kaluar, kur solli në jetë vajzën e saj me bashkëshortin Freddie Sorensen. Ajo ka rrëfyer gjithashtu se i është dashur kohë e gjatë për të gjetur marrëdhënien e duhur.
“Mendoj se dashuria është e frikshme. Kam qenë e frikësuar nga dashuria për një pjesë të madhe të jetës sime dhe më është dashur shumë kohë për të kuptuar se çfarë do të thotë ajo fjalë për mua, jo vetëm si ide. Mendoj se ndonjëherë dashuria me shikim të parë është shumë një ide e projektuar… Nuk mund ta bësh një vakt menjëherë. Duhet ta gatuash”, ka thënë ajo në një intervistë për Deadline.
Kur u pyet nëse beson në “dashuri me shikim të parë”, ajo u përgjigj pozitivisht.
“Po, besoj. Por nuk është kurrë ashtu siç e pres. Gjërat e vërteta nuk janë kurrë ashtu siç i pres. Edhe ai magnetizëm fillestar mund të shndërrohet në diçka shumë më të thellë, më komplekse, me shumë shtresa. Dhe kjo, mendoj, varet nga faza e jetës ku ndodhesh dhe sa i hapur je ndaj saj”, ka thënë ylli.