Jesy Nelson është larguar nga grupi “Little Mix”, teksa shpjegoi se të qenit yll i muzikës pop ka ndikuar keq në shëndetin e saj mendor.
Këngëtarja e cila muajin e kaluar e bëri të ditur lajmin se po pushon përkohësisht nga grupi, për shkak të arsyeve personale mjekësore, tani e ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga bendi i vajzave.
Edhe “Little Mix” e ndau lajmin e hidhur me ndjekësit e grupit në Twitter, ku shkruan se pas 9 vjetëve së bashku Jesy përfundimisht ka zgjedhur të largohet nga bendi, dhe derisa ato ndihen shumë të trishtuara nga vendimi i mikeshës së tyre, megjithatë e kuptojnë arsyen dhe e mbështesin plotësisht atë.
Ndërsa Nelson i informoi adhuruesit e saj për këtë vendim me postimin e një mesazhi të gjatë dhe emocional në Instagram, ku shkruhej: “Pas një shqyrtimi të gjerë dhe me zemër të rënduar, kam vendosur të largohem nga grupi ‘Little Mix’. Nëntë vjetët e fundit si pjesëtare e grupit kanë qenë momentet më të mira të jetës sime, dhe së bashku kemi arritur suksese të jashtëzakonshme të cilët nuk i kisha menduar kurrë. E vërteta është se së fundmi, të qenit pjesë e një grupi muzikor ka ndikuar keq në shëndetin tim mendor. Po e kam të vështirë ta përballoj presionin e vazhdueshëm dhe pritshmëritë e njerëzve si anëtare e një bendi. Prandaj, kam nevojë të kalojë pak kohë me njerëzit që i dua, dhe të bëjë gjëra të cilat më bëjnë mua të lumtur.
Tutje këngëtarja e përfundoi mesazhin duke thënë: “Mbi të gjitha dua t’i falënderojë mikeshat e grupit Jade, Perrie dhe Leigh-Anne, të cilat më kanë ndihmuar t’i krijojë disa prej kujtimeve më të bukura të jetës sime, të cilat nuk do t’i harroj kurrë”.
Jesy Nelson, së bashku me pjesëtaret tjera të bendit, Leigh-Anne Pinnock, Perrie Edwards dhe Jade Thirlwall, e ka themeluar bendin “Little Mix” gjatë talent shout “The X-Factor” në vitin 2011, të cilin edhe e fituan në dhjetor të atij viti.
Së fundmi “Little Mix” e realizoi albumin me titull “Confetti”, i cili u lansua në fillim të muajit dhjetor dhe vjen pas incizimit të vitit 2018, me titull “LM5”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervu