Kur kombet janë në armiqësi njëri me tjetrin, mund të ndodhin gjëra nga më interesantet. Aq mund të jenë interesante dhe të mbuluara me mashtrime sajimet e ngjarjeve, shpifjet dhe armiqësitë për njëri tjetrin, kundërshtimet e hapura dhe të fshehura kundër njëri tjetrit, saqë nga shumë kush mund të duken me interes për popullin e tyre, a në fakt ato sajime, shpifje, kundërshtime e armiqësi janë absolutisht kundër interesave kombëtare.
Gjëra të tilla aktualisht janë shfaqur brenda popullit shqiptar. Ideja për jetësimin e ‘’kombit kosovarë’’ mendoj që është një nga idetë e mbuluara me mashtrim se gjoja është në dobi të popullit shqiptar, a në fakt është më shkatërruesja për popullin shqiptar. Shqiptarët si popull, kanë kaluar në peripeci të ndryshme.
Historia e popullit shqiptar është goxha e dhimbshme dhe tregon që, deri këtu ku jemi sot, kemi ardhur nëpërmjet sakrificave, gjakderdhjeve dhe luftërave të panumërta. Të gjitha këto sakrifica dhe i tërë ky gjak i derdhur deri më tani, ka ndodhur për arsyen e vetme, për ta bashkuar popullin shqiptar, i cili është nda nga padrejtësitë e vazhdueshme ndaj shqiptarëve.
Është interesant fakti që, motivi kryesor që i ka udhëhequr shqiptarët gjatë luftërave, politikave dhe diplomacisë që kishin kundër popujve të tjerë, është bashkimi kombëtar, pra nuk duhet harruar këtë fakt. Gjithashtu, kur t’ia shtojmë faktin që jemi popull i vogël në numër, kjo do të duhej që të na shërben mjaftueshëm për të pasur kujdes nga idetë që kanë për qëllim ndarjen në dysh të shqiptarëve.
Cili është dëmi më i madh që mund t’i kanoset popullit shqiptar nga jetësimi i idesë së ‘’kombit kosovar’’? Fakti që shqiptarët janë popull i vogël dhe rrethimi nga armiqtë historik, mund të ndikoj deri në atë masë, saqë të vije koha që shqiptarët të luftojnë shqiptarët duke ja realizuar qëllimet armiqve tanë.
Po pse? Sepse po e marrim që u arrit jetësimi i ‘’kombit kosovar’’ dhe çka mund të ndodh me një të ardhme jo shumë të largët për shqiptarët? Shqiptarët e Kosovës bëhen një në të gjitha aspektet jetësore (kulturë, politik, madje edhe në qëllime) me serbët, egjiptianët, turqit, romët, etj., sepse atëherë të gjithë janë kosovarë. Gjithashtu, shqiptarët e Maqedonisë do të bëhen një me maqedonasit, shqiptarët e Kosovës Lindore me serbet, shqiptarët e Malit të Zi me malazezët.
Dhe çka do të ndodh me shqiptarët e mbetur? Padyshim që, shqiptarët e mbetur do të luftohen nga shqiptarët e kosovarizuar, maqedonizuar, serbizuar dhe nga shqiptarët e malazezuar. A kanë menduar ata që janë pro ‘’kombit kosovar’’ para se të dal kjo ide në sipërfaqe, se kështu shkatërrohen idealet kombëtare që na kanë bashkuar në kauza kombëtare? A kanë menduar që, me jetësimin e kësaj ideje ka rrezik që populli shqiptar brenda dhjet apo pesëmbëdhjetë dekadave të dobësohet aq shumë saqë të rrezikohet ekzistenca e shqiptarëve si popull? E nëse mund të ndodh ndonjëra nga pikëpyetjet e lartcekura, në shërbim të kujt qenka kjo ide?