Sot janë ndarë 28 shtëpi për nevojtarët në Prizren.
28 çelësa janë shpërndarë në shtëpinë e Kulturës në Prizren nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit” në krye me Halil Kastratin në bashkëpunim me Komunën.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, gjatë ndarjes së 28 çelësave të shtëpive për nevojtarët në Prizren, Dragash e Suharekë, ka thënë se kjo ditë duhet të na kujtojë që kemi një shtet zhvillimor.
“Biseduam me Halil Kastratin që ta bëjmë bashkë këtë projekt të 20 shtëpive në Komunën e Prizrenit dhe tetë të tjerat në Dragash e Suharekë, në mënyrë që këta të bashkëpunojnë me ne për ndërtimin e këtyre shtëpive. Ideja për 28 shtëpi më 28 Nëntor ishte e Halilit. Kjo ditë duhet të na përkujtojë që të kemi një shtet zhvillimor dhe personat si këta të mos kenë nevojë për ndihma, por secili ta ketë shtëpinë e vet”.
Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se solidariteti është virtyt i përcjell brez pas brezi midis shqiptarëve, i cili duhet rritur dhe kultivuar edhe më tej. Kryetari i Kuvendit tha se sado të forta qofshin institucionet dhe sado e madhe të jetë përkujdesja e shtetit ndaj qytetarëve, gjithherë do të ketë nevojë për mbështetje dhe solidaritet midis njerëzve.
“Ndarja e 28 banesave pikërisht me 28 nëntor, në këtë festë të madhe kombëtare, mëton të përçojë mesazhin e afrimit e të bashkimit më të madh të qytetarëve me njëri-tjetrin. E përgëzoj bamirësin Halil Kastrati dhe shoqatën që ai udhëheq pë punën e vazhdueshme në ndihmë të qytetarëve në nevojë”, theksoi Veseli.
Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati tha se këto shtëpi janë rezultati i punës së përbashkët.
“Jemi bashkuar dhe rezultati i bashkimit janë këta çelësa. Kemi ditur të jemi bashkë kur Kosova ka pasur nevojë më së shumti. Ka shumë njerëz që kanë dhënë nga djersa e tyre për t’i ndërtuar këto shtëpi dhe ata janë shumë meritorë, e unë amanetin e tyre e kam drejtuar tek nevojtarët. Ëndërroj dhe lus Zotin të mos më dalë shpirti pa e parë Kosovën me një standard të mirë”.
Bali Muharremaj, Kryetari i Suharekës tha se deri në fund të vitit do të ndahen 50 shtëpi.
“Për mua është nder që të uroj 28 familje që sot bëhen me shtëpi sepse kjo festë sot është ndryshe. Sot i ndajmë 28 por deri në fund të vitit me “Jetimat e Ballkanit” do t’i ndajmë 50.
Shoqatën e falënderoi Kryetari i Dragashit, Shaban Shabani i cili shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e këtij projekti.