“Jetimat e Ballkanit” dhe Komuna e Skenderajt ndërtojnë edhe pesë shtëpi për familjet në nevojë

Prishtinë | 02 Qer 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skenderajt,Bekim Jashari së bashku me humanistin Halil Kastratin nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit” si dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Ramiz Shala, si kryetar i komisionit komunal për përzgjedhjen e familjeve, kanë vizituar sot 5 familjet në komunën e Skenderajt, të cilat jetojnë në kushte tejet të vështira, për t’ua kumtuar lajmin për fillimin e ndërtimit të shtëpive të reja.

Siç thuhet në njoftimin e Komunës, kryetari Jashari, pas vizitave tek secila familje, ka thënë se ato jetojnë në kushte shumë të vështira të banimit dhe është tepër e rëndë për t’u ballafaquar me atë çfarë kanë parë tek ato famljet.

Megjithatë, dërguan lajme të mira tek Selman Azemi nga Açareva, Hatiqe Hoti nga Turiqeci, Halim Smakaj nga Kllodernica, Skender Kajtazi nga Vitaku dhe i riu Shkelzen Xheloshi nga Qubreli, që për rastësi me lajmin e mirë, datëlindja e tij e 11-të, po shënohet me lajmin për fillimin e ndërtimit të shtëpisë së re edhe për familjen e tij.

Përzgjedhjen e familjeve përfituese e ka bërë komisioni i Komunës, i cili më shumë se një muaj, ka kryer vizita tek ato, për të bërë vlerësimin e duhur, ndërsa financimi i këtij projekti bëhet nga buxheti i Komunës së Skenderajt dhe Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Përveç këtyre 5 shtëpive, janë edhe 20 të tjera që do të ndërtohen, në bazë të marrëveshjes që ka Komuna e Skenderajt me shoqatën në fjalë.

Të ngjashme