Jetullahu: Diskriminim dhe mungesë vëmendjeje për personat e verbër, nuk presim ndryshime nga asnjë qeveri

Prishtinë | 11 Jan 2025 | 09:00 | Nga Diellza Gashi

Bajramshahe Jetullahu, Kryetare e Komitetit të Grave të Verbra të Kosovës, ka deklaruar se ka mungesë të interesimit nga partitë politike për personat me nevoja të veçanta, veçanërisht për ata të verbër.

Ndonëse partitë kanë premtuar përmirësime, Jetullahu për Ekonomia Online ka theksuar se ato nuk kanë realizuar asgjë për këtë kategori.

“Deri më tani, nuk kemi pasur takime me partitë politike, përveç Komunës së Prishtinës. Partitë tjera nuk kanë treguar asnjë interesim, as nuk kanë shprehur vullnetin se çfarë do të bëjnë për personat me nevoja të veçanta pas këtyre zgjedhjeve. Ne jemi mësuar dhe nuk presim diçka më të mirë se sa ajo që ka qenë deri tani,” tha ajo.

Ajo gjithashtu përmendi diskriminimin e vazhdueshëm që personat e verbër kanë përjetuar, duke theksuar se, ndonëse partitë kanë premtuar përmirësime, ato nuk kanë realizuar asgjë për këtë kategori.

“Gjatë viteve të kaluara janë bërë premtime, por asnjëherë nuk ka pasur diçka konkrete që është realizuar. Ne jemi diskriminuar, sepse, sipas premtimeve të tyre, janë bërë përmirësime për kategoritë e tjera, ndërsa për ne, si kategori të veçantë, nuk është bërë asgjë. Asnjë qeveri nuk ka bërë diçka të veçantë për ne, si persona të verbër,” tha Jetullahu.

Ajo përmendi rritjen e kompensimit për personat e verbër nga 125 në 150 euro, një shumë që, sipas saj, është e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e nevojshme, si trajtimi mjekësor. Shtoi se personat e verbër po përballen me vështirësi të mëdha për të përmirësuar jetesën e tyre.

“Ndihma ndaj nesh ka qenë shumë e pakët. Të gjitha kategoritë e tjera kanë kërkuar dhe kanë marrë rritje të pagave dhe kompensimeve, ndërsa neve, që nga viti 2013, na është rritur vetëm 25 euro kompensimi. Megjithatë, asnjëherë nuk janë shqetësuar për ne. 25 euro për asistentët dhe 25 euro për personin e verbër. Kompensimi për shoqëruesin ka qenë 250 euro, ndërsa për ne është rritur nga 125 euro në 150. Kjo shumë është e pamjaftueshme, sepse vetëm një trajtim mjekësor i nevojshëm për një të moshuar e kalon këtë shumë,” përfundoi ajo për EO.

Të ngjashme