Jo arsim paralel, po sistemi arsimor i Republikës së Kosovës

Prishtinë | 13 Sht 2024 | 13:23 | Nga Rrahman Jasharaj

Ka aty e këtu ndonjë deputet , ndonjë udhëheqës institucionesh apo edhe intelektual i
kohës që në fillim të shtatorit, apo më 7 mars, flet për arsimin tonë dhe mirë që lartëson
kujtimin për pishtarët e parë të dijes, por është mirë që të lartësohet kujtimi edhe për pishtarët
e dijes që realizuan misionin e shenjtë për arsimimin e brezave në vitet e 90-ta. Disa i ikin
këtyre viteve, qoftë nga mosdija, qoftë nga ndonjë inat. Në debate për arsimin e viteve 90-ta
shumë debatues bëjnë edhe një gabim tjetër duke e quajtur arsimin tonë të asaj kohe arsim
paralel. Ai nuk ishte arsim paralel po ishte punë e angazhim plot sakrifica i pishtarëve të dijes
në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës. Se është kështu po përmend dy shembuj konkret.

“Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-
1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e
Republikës së Kosovës” është thënë në Ligjin bazik për skemat pensionale të financuara
nga shteti , apo “Qëllimi i këtij Ligji është njohja e përvojës se punës dhe përcaktimi i të
drejtave në kompensim shtesë mbi pensionin që realizon të përfituesit, për punëtorët e
arsimit shqip të Republikës së Kosovës që punuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin
shkollor 1998/99” , thuhet në Ligjin për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të
Republikës së Kosovës. Pra, nuk thuhet në arsimin paralel.


Kjo periudhë është pjesë e lavdishme e arsimit të shtetit tonë dhe si e tillë është
vlerësuar edhe nga miqtë ndërkombëtarë që na vizitonin duke na dhënë forcë për të
vazhduar e duke na mbështetur në gjithë format e mundshme. Njerëzit në diasporë apo
në Kosovë që kanë ndonjë inat me dikë dhe flasin e angazhohen për ta mohuar a
zhvleftësuar këtë periudhë të arsimit në Kosovë le t’i shqyejnë librezat, dëftesat e diplomat
dhe le të nisin arsimimin nga klasa e parë sepse nuk është njerëzore që t’i përdorin këto
dokumente të lëshuara gjatë gjithë viteve të 90-ta me Republika e Kosovës kur ju duhen
nëse nuk e vlerësojnë dhe nuk respektojnë ashtu si e meriton kjo kohë e sistemit arsimor
të Republikës së Kosovës.

Do a nuk do dikush vitet e 90-ta janë vite të lavdishme të
pishtarëve të arsimit dhe të bijve dhe bijave me emblemën e UÇK-së, që ëndrrën për liri
dhe për shtetin Kosovës e kthyen në realitet.

Të ngjashme