Ka “Jo” që të mërzit, por ka edhe “Jo” që të humbë shpresën.
Jo-ja franceze, ndryshon si nata me ditën me jo-në holandeze apo Daneze.
Holanda nuk është kundër perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut- Holanda kërkon të bëhen reformat dhe të shihen rezultate. Holanda kërkon të bindet që vendet janë në shinat e shtetit ligjor.
Jo- ja Franceze nuk ka të bëj me reformat- por ka të bëj me qasjen e Presidentit Macron ndaj rajonit.
Franca është deri më tani kundër liberalizimit të vizave për 1 milionë shqiptarët e Kosovës.
Franca sot është kundër anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Franca kërkon të reformojë BE-në nga brenda para se të vijojë zgjerimi. Ky proces mund të zgjasë pafundësisht.
Franca është për një partnership special me Ballkanin njëlloj si me Ukrainën apo Gjeorgjinë. Franca mund të stopojë edhe Serbinë dhe Malin e Zi që kanë hapur negociatat!
Jo- ja e Francës do të thotë se edhe sikur Zvicër (me det) të bëhet Shqipëria – dhe të mos ketë nevojë për asnjë reformë, Franca do të vijojë të thotë: nuk kemi reformuar ende veten.
Franca përdor metaforën e derës së shtëpisë që nuk mund të pranojë anëtarë të rinj pa rregulluar derën, anipse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk po trokisnin në derën e shtëpisë, por në derën e oborrit.
Shqipëria nuk ka as këllqet dhe as ëndërron t’i adresojë Jo-në e Francës.
Nga Jo-ja e Francës është mërzitur Gjermania, është revoltuar Italia, është çuditur Çekia dhe Franca është vetëm me veton e saj përballë 27 anëtarëve të tjerë të familjes.
Ajo që mund të bëjë Shqipëria është të merret me Jo-në holandeze.
Deklarimi se ne “kemi bërë detyrat e shtëpisë” edhe kur vjen nga Brukseli dhe sidomos kur artikulohet në Tiranë nuk ka asnjë vlerë.
Holanda ishte pro hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe kërkonte më shumë punë nga Shqipëria dhe rezultate konkrete sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Një vend që i vihet si kusht reforma në drejtësi dhe ndërtimi i gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese nuk ka shumë gjëra për t’u mburrur dhe nuk ka shumë arsye për të treguar me gisht të tjerët.
Nuk ka asnjë dyshim për përgjegjësinë e qeverisë për jo-në (e mundshme) holandeze dhe jo-në e (e mundshme) të Danimarkës!
Përgjegjësia është më e thellë për Jo-në e Macron-it. Shqipëria ka patur shansin e artë për të të hapur negociata në qershor të 2018, më 2010, më 2012 madje edhe dy dekada më parë 1996-1997.
Sot është vonë. Çështja nuk është jemi vetëm pas Malit të Zi që është krijuar si shtet më 2006, as sepse jemi pas Serbisë që nisi 4 luftra në rajon, as sepse Maqedonia e Veriut ka nota më të mira në kryerjen e detyrave të shtëpisë. çështja se kemi humbur trenin e kohës!
JO- ja franceze është problem i diplomacisë europiane. Maqedonia e Veriut, ndërroi emrin, ndërroi flamurin, ndërroi tekstet shkollore, ndërroi gjithçka ju kërkua dhe në fund.. Franca ndërroi mendjen!
Jo-ja hollandeze është problem vetëm i yni. Nuk mjafton të thuash kam bërë “detyrat e shtëpisë” . Detyrat e shtëpisë quhen të bëra edhe kur nuk merr notë kaluese!
Jo-ja e Holandës kthehet në po- me reforma, me gjyqësor të pastruar, të ngritur dhe të pavarur, me zyrtarë të lartë të ndërshkuar për aferat korruptive, me zgjedhje model, me ndëshkime të atyre që prekin votën- nuk ka nevojë të shpikësh rrotësh për të plotësuar 9 kushtet e Bundestagut dhe për të kthyer në PO- Jo-në e Holandës.
Për jo-në e Hollandës përgjegjësinë është 100% e qeverisë
Për jo-në e Francës përgjegjësia është 100% e atyre që kanë vënë gjithmonë interesin personal/partiak mbi interesin e Shqipërisë. Dhe kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre 30 viteve.