“Jo shkëmbime territoresh”, Shoqata “Miqtë e Amerikës” falënderojnë Senatorët amerikanë

Prishtinë | 04 Tet 2025 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Shoqata “Miqtë e Amerikës” kanë shprehur mirënjohje ndaj dy senatorëve amerikanë, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen për amendamentin që kërkon njohje reciproke Kosovë–Serbi dhe refuzon çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.

Ata e kanë quajtur këtë një qëndrim të drejtë, amerikan dhe në përputhje me vlerat e lirisë që bashkojnë popujt tanë.

“Ky qëndrim i qartë, i drejtë dhe i qëndrueshëm i përfaqësuesve të lartë amerikanë është dëshmi e vazhdimësisë së mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet dhe zhvillim demokratik në rajonin tonë. Ai përforcon bindjen se orientimi proamerikan i popullit dhe institucioneve të Kosovës është themeli më i fortë i së ardhmes sonë. Në këtë frymë, ne mirëpresim përkushtimin e SHBA-së për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke dhe respekt të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Më tej thuhet se “Ky mesazh është një kujtesë e fuqishme se paqja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë me vizionin amerikan për një Evropë të lirë, të bashkuar dhe demokratike. Shoqata “Miqtë e Amerikës” –  “Friends of the USA” Association shpreh mirënjohjen e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për miqtë tanë në Kongresin amerikan që mbrojnë me dinjitet të vërtetën për Kosovën dhe drejtësinë për popullin tonë”.

Të ngjashme