Tre parti të koalicionit qeverisës në Holandë votuan një rezolutë që i kërkonte Qeverisë të mos pranonte as hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, as ato me Maqedoninë.
Vendimi nuk duket surprizues nëse shihen marrëdhëniet shpesh bllokuese të Holandës ndaj procesit të zgjerimit të Unionit, jo vetëm në raport me Shqipërinë por dhe shumë vende të tjera.
Sipas rezolutës, Shqipëria nuk kishte bërë mjaftueshëm në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, gjë që u kundërshtua nga një tjetër parti qeverisëse D66, si dhe dy parti opozitare, të cilat mbështetën hapjen e negociatave, duke akuzuar qeverinë holandeze për pandershmëri dhe mungesë vizioni gjeo-strategjik.
Rezoluta e Parlamentit holandez nuk është detyruese për qeverinë, por brishtësia me të cilën ajo që qëndron në këmbë, me vetëm 1 votë më shumë se opozita, zvogëlon shanset që ekzekutivi i Holandës të kundërshtojë Parlamentin.
Refuzimet holandeze janë të shumta. Kundër Shqipërisë, Serbisë, Kroacisë, Bosnjës, Rumanisë, kundër Bullgarisë, kundër Ukrainës, kundër Turqisë.
Edhe në vitin 2013, Hollanda ishte kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Në 2016 organizuan një referendum kundër marrëveshjes së stabilizim asociimit BE-Ukrainë, ndërkohë që Holanda vijon të bllokojë zgjerimin e zonës Schengen me Bullgarinë dhe Rumaninë, përcjell tch. Edhe anëtarësimi i Kroacisë në BE u vonua me 1 vit për shkak të holandezëve, ndërsa kanë bllokuar Bosnjen për atë që njihet me emrin Membership Action Plan. Holanda ka një qëndrim skeptik ndaj Serbisë, ka marrëdhënie të ngrira me Turqinë ndërsa është mjaft e ashpër dhe kritike përsa i përket reformave në Rumani, Poloni dhe Hungari.