Vedat Muriqi duket se do të largohet nga Lazio vetëm pas një viti qëndrim në kryeqytetin italian.
Sulmuesi nga Kosova u bashkua me klubin kryeqytetas në verën e vitit të kaluar nga Fenerbahce për një shumë prej 18,5 milionë euro.
Por aventura e tij te Lazio nuk ka shkuar siç pritej, pasi prizrenasi ka dështuar t’i tregojë aftësitë e tij.
Në 34 ndeshje zyrtare mes kampionatit, kupës dhe Ligës së Kampionëve, Muriqi ka shënuar vetëm dy gola dhe ka bërë një asistim që në Itali po konsiderohet si dështim.
Largimi i tij nga Biancocelestët në verë duket i pashmangshëm dhe ish-skuadra e tij Fenerbahce po këmbëngul për ta rikthyer atë në Stamboll.
Por lajmet e fundit që vijnë nga Turqia raportojnë se edhe dy rivalët e Fenerit, Besiktas dhe Galatasaray janë duke kërkuar shërbimet e kosovarit.
27-vjeçari ka shkëlqyer në futbollin turk dhe ai shihet nga këto klube si një përforcim shumë i madh.
Lazio e di se ka humbur shumë me Muriqin dhe tani po kërkon shitjen e tij për vetëm tetë milionë euro.
Gjithsesi ekipet turke nuk janë të gatshme ta blejnë menjëherë Muriqin pasi duan fillimisht huazimin një vjeçar me të drejtë blerje në fund të sezonit.