Gratë në raport me burrat, vazhdojnë të trajtohen të pabarabarta në tregun e punës në Kosovë. Këtë e dëshmon fakti, që kemi numër më të madh të burrave të punësuar në krahasim me atë të grave. Të dhënat, nga anketa e Fuqisë Punëtore e Agjencisë së Statistikave të Kosovës që mbulon tremujorin e parë të vitit 2021, tregon se punësimi i grave është në 15.9% krahasuar me atë të burrave që është 42.8%. Sipas, raportit të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, “Ndikimi i ligjit të Punës tek Gratë në Kosovë”, thuhet që gruaja paguhet me një pagë më të ultë se burrat. Paga mesatare mujore në Kosovë është vlerësuar të jetë pak më e lartë se 200 euro, dhe është më e ulët për gratë krahasuar me burrat, thuhet në këtë raport.Ndërkaq, gratë për 220 euro, në sektorin privat, nuk dëshirojnë të punësohen, sepse nuk kanë llogari me i mbulu shpenzimet. Diskriminimi ndaj grave, nuk ndalon këtu.
Gratë punojnë edhe pa kontrata pune, kryesisht në sektorin privat. Kjo nënkupton, që atyre nuk u paguhen kontributet në Trustin e Kursimeve Pensionale dhe se nuk mund të mbrohen me ligj. E gjithë kjo, pa baraza vjen si shkak i mentalitetit në shoqërinë tonë, që grua të mos trajtohet e barabartë me burrat. Në anën tjetër, edhe pse ekziston Ligji për Barazi Gjinore, ai nuk ka gjetë zbatim. Në nenin 5 të këtij ligji thuhet se: sigurimi i proceseve të përzgjedhjes, punësimit dhe caktimit në punë, duke përfshirë edhe pozicione drejtuese, duhet të bëhet në përputhje me kërkesën për përfaqësim të barabartë të femrave dhe meshkujve. Por, edhe përkundër kësaj, gratë nuk janë trajtuar të barabarta në mesin shoqëror.
Përveç kësaj, gratë janë penalizuar shumë herë, duke u detyruar të marrin detyra të tjera dhe të heqin dorë nga puna dhe nga profesioni i tyre, përfshirë, kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshurarëve e punët e shtëpisë. Madje, gjithë këto angazhime ditore, janë punë në vete e që askush nuk i llogaritë si punë që shpenzojnë energji dhe kohë, e të cilat duhet të kompenzohen. Kjo pasi të gjitha këto punë konsiderohen se janë, “punë grash”, kur në fakt edhe ato duhet të ndahen në mënyrë të barabartë me burrat. Kjo qasje ndodhë si shkak i mëndësisë patriarkale, që vazhdon me qenë pjesë e shoqërisë tonë në të gjitha sferat e jetës publike dhe private.
Gjithashtu, gratë në Kosovë ballafaqohet me sfida edhe atëherë kur kërkojnë punë. Mosha? A jeni të martuara? A mendoni të planifikoni familje? dhe shumë pyetje personale, përbëjnë në të shumtën e rasteve një intervistë për punë për një grua. Pushimi i lehonisë dhe mos kthimi në punë, ngacimet seksuale, mungesa e transportit dhe e qendrave të kujdesit ditorë për fëmijë, veç se e vështirësojnë edhe më shumë jetën e gruas dhe mundësinë e tyre për qasje në tregun e punës. Në fund, nga gjithë këto sfida prapë se prapë, gruaja identifikohet si fajtore për mos pjesëmarrjen e barabartë në tregun e punës në raport me burrat. Që kjo gjendje të ndryshojë, ndër hapat konkret që duhet të ndërmerren janë rritja e kapacitetit të inspektoratit të punës dhe sistemit gjyqësor të cilët janë institucione kyçe për luftimin dhe adresimin e diskriminimit me bazë gjinore në Kosovë.
Për më tepër, vetë mos funksionimi i këtyre mekanizmave dhe mungesa e praktikave të luftimit të këtij fenomeni, ka bërë që gratë të jenë thellësisht të dekurajuara për të kërkuar punë, apo t’i nënshtrohen sistemit patriarkal duke u koncentruar kryesisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, që janë profesione të cilat tradicionalisht konsiderohen “të pranueshme” për gratë. Një grua mjeke, apo mësuese/arsimtare, konsiderohen si profesione të pranueshme për një grua për të gëzuar reskeptin e shoqërisë, por jo një grua inxhiniere, apo punëtore në një minierë.
COVID -19 dhe gratë në tregun e punës
Punësimin e grave, e ka vështirësuar edhe më shumë periudha e pandemisë COVID-19. Këtë e dëshmojnë, edhe të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore, për tremujorin e parë për vitin 2021. Aty thuhet që, papunësia më e theksuar është te gratë me 29.7%, krahasuar me burrat me 24.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6%. Që pjesëmarrja e grave në tregun e punës ka qenë më e ultë në dallim me burrat, edhe në periudhën e para-pandemisë, e tregon edhe raporti i Bankës Botërore për vitin 2021. Aty thuhet që, punësimi formal ka tejkaluar ndikimin e pandemisë, por pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore, veçanërisht për gratë, vazhdon të jetë ndër kufizimet kryesore në vend.
Ndërkaq, ato që pësuan më shumë gjatë pandemisë janë edhe gratë shtatzëna të cilat u përjashtuan nga puna, dhe nënat vetushqyese, të cilat e përballuan më rënd gjithë këtë situate dhe gratë e punësuara me fëmijë të vegjël, barra e të cilave u rrit edhe më shumë pas mbylljes së shkollave dhe kalimit në mësim online për fëmijët e mësimit fillor, ku barra e grave u trefishua. Fillimisht, kujtojmë kohën e izolimit kur kopshtet për fëmijë nuk mund të punonin shkaku i gjendjes pandemike, andaj çdo nënë vetushqyese rrezikonte vendin e punës. Pavarësisht, që Qeveria kishte marrë vendim, që njëri prind të lirohet nga puna për kujdesin e fëmijëve, kjo nuk implementohej nga ana e sektorit privat, për nënat vetushquese me arsyetimin se kjo nuk përmendej shprehimisht në vendim. Gjendja e tillë pandemike, shtoi edhe më tepër dhunën ndaj grave duke e bërë edhe më të vështirë jetesën e tyre.
Një trajtim i tillë që u bëhet grave, është si shkak i mos funksionimit të duhur të institucioneve të caktuara në veçanti të atyre të drejtësisë. Pasi lëndët gjyqësore nuk trajtohen në mënyrë të drejtë, dhe edhe atëherë kur trajohen në shumë raste mbrohen vetëm interesat e burrave. Prandaj, që kjo situatë të ndryshojë duhet, sistemi gjyqësor të jetë i pa anshëm nga aspekti gjinor, sidomos në rastet e ndarjes së pasurisë, duke u njohur kontributi dhe ndarja e mirëfilltë së pasurisë së përbashkët. Denimi i rasteve të dhunës ndaj grave, denimi i bizneseve dhe institucioneve të cilat diskriminojnë gratë në tregun e punës apo shkelin të drejtat e grave në vendin e punës.