Joao Felix nuk do të përfshihet në skuadrën e Atletico Madridit për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, pasi që ka munguar në stërvitjet e të hënës.
Portugezi pësoi një lëndim muskulor në barazimin pa gola ndaj Leganes më 26 janar dhe ka munguar në tri ndeshjet pasuese të skuadrës së tij.
Ishte pritur që të kthehej në sfidën e garës më të madhe evropiane kundër kampionit në fuqi, duke qenë se tashmë është duke u rikuperuar plotësisht nga lëndimi.
Mirëpo, Goal bën të ditur se është sëmurë me faringotonsillit (infeksion të fytit dhe bajameve), ashtu që nuk do të luajë në Wanda Metropolitano.
Edhe Hector Herrera do të mungojë për shkak të sëmundjes, ndërsa Kieran Trippier është duke u shëruar pas operacionit në ije.
Atletico Madridi është nikoqir i Liverpoolit të martën mbrëma për ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.