Zyrtarët e fushatës së kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kanë thënë se i kanë rezervuar 280 milionë dollarë për reklama në televizione dhe reklama në platforma dixhitale, të cilat do të jenë kryesisht goditje për presidentin e tanishëm, Donald Trump, rreth mënyrës se si e ka menaxhuar situatën me pandeminë.
Këto reklama do të jenë kryesisht 60-sekondëshe e jo si reklamat e zakonshme, të cilat zgjasin 30 sekonda. Në video do të shfaqet shpesh vetë Joe Biden duke folur drejtpërdrejt para kamerës, bëri të ditur Jen O’Malley Dillon, menaxhere e fushatës së kandidatit të Partisë Demokratike.
Këto reklama do të transmetohen në 15 shtete, ku zyrtarët e fushatës besojnë se gara do të jetë më e ngushtë në zgjedhjet e nëntorit, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Dillon tha se me këto reklama synohet që votuesit të mund të dëgjojnë drejtpërdrejtë nga ish-nënpresidenti me zërin e tij dhe duke folur për momentin në të cilin ndodhet kombi.
Nga këto mjete, 220 milionë dollarë do të shpenzohen për spotet në televizione, ndërsa 60 milionë dollarë në spotet në platforma dixhitale.
Në mesin e shteteve ku do të transmetohen këto reklama janë dhjetë shtete në të cilat presidenti Trump kishte shënuar fitore në zgjedhjet e vitit 2016.