Aktori dhe producenti amerikan Johnny Depp po përgatit adaptimin e parë filmik në gjuhën angleze të romanit legjendar të Mikhail Bulgakov, “Mjeshtri dhe Margarita”, një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Projekti pritet të jetë një nga zhvillimet më të mëdha kinematografike të vitit të ardhshëm, me Depp që mund të marrë edhe një rol në film.
Romani i Bulgakovit zhvillohet në dy linja paralele:
Moskë, vitet 1930 – ku djalli, i shoqëruar nga një mace që flet, kthehet për të përmbysur qytetin dhe për të ekspozuar hipokrizinë e një shoqërie të korruptuar.
Jerusalemi i kohës së Pontit Pilat – një rrëfim që gërshetohet me realitetin sovjetik, duke e futur veprën në dimension filozofik dhe historik.
Në qendër të historisë janë një shkrimtar i ndaluar, i njohur si Mjeshtri, dhe e dashura e tij Margarita, e gatshme të kalojë çdo kufi për ta shpëtuar nga sistemi totalitar.
Adaptimi pritet të sjellë në ekran një interpretim të ri dhe të guximshëm të romanit, i cili prej dekadash konsiderohet një kryevepër e letërsisë ruse dhe një sfidë e madhe për kinemanë ndërkombëtare.
Detaje të tjera rreth kastës dhe datës së publikimit pritet të zbulohen së shpejti./KultPlus.com