Boris Johnson dhe Jeremy Corbyn janë përplasur për Brexit-in gjatë një debati të drejtpërdrejtë televiziv, i cili ishte i pari në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit.
Konservatori Johnson tha se do t’i japë fund asaj që e quajti mjerim kombëtar dhe tha se laburistët po ofrojnë vetëm përçarje dhe bllokadë.
Në anën tjetër, laburisti Corbyn tha se partia e tij do ta zgjidhë çështjen e Brexit-it duke ia dhënë popullit mundësinë e vendimmarrjes.
Kryeministri i deritashëm nga radhët e Partisë Konservatore tha se synon t’i fitojë zgjedhjet për ta miratuar marrëveshjen me BE-në rreth Brexit-it dhe ta largojë vendin nga Bashkimi Evropian në fund të janarit të vitit të ardhshëm.
Në anën tjetër, lideri i opozitës britanike tha se do ta rrëzojë marrëveshjen e qeverisë së kaluar dhe do të bisedojë me BE-në për një marrëveshje të re për Brexit-in.
Dy rivalët kryesorë politikë në vendin ishullor u përplasën edhe për çështje të tjera, përfshirë sistemin kombëtar të kujdesit shëndetësor, të ardhmen politike të Skocisë dhe familjen mbretërore të monarkisë.
Gazetarja e BBC-së, Laura Kuenssberg, tha se nuk është e qartë se cili nga liderët e ka fituar apo humbur debatin, por ishte mahnitëse të shihet se si audience ishte e gatshme të qeshte me deklaratat e tyre.
Ndryshe, kryetari i Partisë së Brexit-it, Nigel Farage, tha se laburisti Corbyn ishte debatues më i mirë, por e kritikoi atë që nuk e bëri të qartë nëse do të votonte për apo kundër qëndrimit të Britanisë në BE në rast të mbajtjes së një referendum të ri për këtë çështje, shkruan “BBC”.