Sekretari i Jashtëm i Britanisë, Boris Jonhson do të arrijë sot në Uashington, ku do të nisë vizitën e tij dyditore me zyrtarët amerikanë, për të biseduar për marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe situatën në Korenë e Veriut, ka njoftuar Zyra e Jashtme britanike.
Zyra e Jashtme e Britanisë ka thënë se Jonhson do të takohet me nënpresidentin amerikan, Mike Pence, këshilltarin për siguri kombëtare John Bolton dhe liderët e Kongresit.
“Në shumë prej sfidave të politikës së jashtme në botë, Britania dhe SHBA-ja ecin përkrah njëra-tjetrës”, ka thënë Johnson, duke cituar përpjekjet e përbashkëta të të dyja shteteve sa i përket Rusisë, Koresë së Veriut dhe Sirisë.
“Britania, SHBA-ja dhe partnerët evropianë gjithashtu janë të bashkuar në përpjekjet tona për të trajtuar sjelljen e Iranit që bën që Lindja e Mesme të jetë më pak e sigurtë – aktivitetet e tij kibernetike, mbështetja për grupe si Hezbollahu dhe programi i raketave”, ka shtuar ai.
Britania ka thënë se vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore që Irani dhe fuqitë botërore kanë nënshkruar më 2015.
Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo nuk përmirësohet deri më 12 maj.
Aleatët e SHBA-së, Franca dhe Gjermania i janë bashkuar Britanisë në thirrjet ndaj Uashingtonit që të qëndrojë në këtë pakt, që i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.