“Justice League mund t’i ketë grumbulluar superheronjtë e popullarizuar të DC, por një keqbërës ka arritur sukses shumë më të madh në botë, të paktën për sa i përket kinemasë.
Drama triller Joker për të cilën është folur pandërprerë gjatë javëve të fundit është bërë për më pak se një të gjashtën e buxhetit të Justice League (55 milionë kundrejt rreth 300 milionë dollarëve), por tashmë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm për të cilin “Justice League” i janë dashur disa javë, shkruan KOHA Ditore.
Joker tashmë i ka inkasuar 737 milionë dollarë në të gjithë botën (247 brenda tregut vendor, 490 milionë në pjesën tjetër të botës) për vetëm 3 javë shfaqje, ndërsa Justice League i ka grumbulluar 657 milionë dollarë për 17 javë sa është shfaqur filmi (229 brenda tregut vendor, 428 milionë në pjesën tjetër të botës).
Madje edhe Wonder Woman brenda 23 javëve ka inkasuar më shumë se Justice League, dhe atë 821 milionë dollarë (me një buxhet prej 149 milionësh), ndërsa Avengers të fundit (thjesht sepse edhe ky film ka bashkuar shumë superheronjë) as të mos e përmendim: edhe pse e kishte një buxhet të madh prej 356 milionë dollarësh filmi i fitoi 2.7 miliardë dollarë për 20 javë, duke e bërë filmin më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Bazuar në këtë, Justice League doli të ishte një zhgënjim i lehtë për Warner Bros., por tani Joker si një hit absolut i ka tejkaluar të gjitha pritjet.
Joker e ka arritur edhe një sukses të madh. Filmi tani është ndër 5 filmat më të suksesshëm të të gjitha kohërave me vlerësimin R: para tij janë “The Passion of the Christ”, “Deadpool” dhe “Deadpool 2” dhe “It”. Në momentin kur arrin 800 milionë dollarë të inkasuara, ai do të jetë filmi i parë me nivelin R i cili do ta kapërcejë këtë shifër, nëse nuk e llogarisim inflacionin.
Nëse e tejkalon inkasimin e lartpërmendur nga Wonder Woman, atëherë do të jetë në mesin e 5 filmave më të suksesshëm të DC të të gjitha kohërave me Aquaman, The Dark Knight Rises, The Dark Knight dhe Batman v Superman: Dawn of Justice.
Regjinë e Joker e ka bërë Todd Phillips, i cili e shkroi skenarin bashkë me Scott Silver, ndërsa në rolin kryesor është Joaquin Phoenix i cili ka marrë lëvdata të shumta për interpretimin e tij të Jokerit, një nga kundërshtarët më të famshëm të Batmanit, keqbërësit famëkeq, tregimin e origjinës së të cilit patëm mundësi ta shohim për herë të parë në këtë film. Disa besojnë se Jokeri do t’i fitojë deri në 900 milionë dollarë, ndërsa disa madje mendojnë (shpresojnë) se do t’i tejkalojë 1 miliard dollarë.