Në kinematë amerikane kanë mbërritur madje tre filma të rinj, por asnjëri nuk ishte aq i fortë sa ta rrëzojë Jokerin, i cili gjatë fundjavës së dytë të shfaqjes ende e mban vendin e parë në tregun e brendshëm (Amerikën e Veriut) dhe në pjesën tjetër të botës.
Filmi tashmë është bërë një hit i madh për Warner Bros: për vetëm 12 ditë i ka inkasuar gjithsej 543 milionë dollarë, ndërsa interesi për të nuk është zbehur.
Në Amerikë gjatë fundjavës së kaluar ka filluar të shfaqet filmi i animuar The Addams Family i cili përfundoi në vendin e dytë dhe Gemini Man i Paramount me Will Smith si dhe komedia e Lionsgate “Jexi”, të cilët mezi arritën deri tek audienca, kështu që Joker i fitoi 55 milionë dollarë (12 ditë në total me 192 milionë) në tregun e atjeshëm, shkruan KOHA Ditore. Në pjesën tjetër të botës, gjatë fundjavës së kaluar filmi i fitoi rreth 123 milionë dollarë (gjithsej 351 milionë), gjë që na sjell në 543 milionë dollarët e sipëpërmendur. Me këtë filmi është bërë adaptimi i nëntë më i suksesshëm i DC në botë dhe aktualisht është pas Justice League, i cili i ka fituar 657.9 milionë dollarë. Trileri psikologjik Joker u xhirua me vetëm 55 milion dollarë.
T’ju rikujtojmë, filmi u bë me regji të Todd Phillips, i cili e shkruajti skenarin me Scott Silver, ndërsa ekipin e aktorëve e udhëheqë aktori gjenial Joaquin Phoenix, për të cilin kritikët dhe shikuesit kanë vetëm lëvdata. Në rolet e tjera shfaqen Robert De Niro, Zazie Beetz, Frances Conroy, Brett Cullen, Shea Whigham dhe Bill Camp.