Angelina Jolie ka nxjerrë në shitje një pikturë, të cilën e ka vizatuar ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, në Luftën e Dytë Botërore.
Është fjala për një dhuratë që e kishte marrë nga ish-bashkëshorti i saj, Brad Pitt, vlera e të cilës është 3.4 milionë dollarë. Në pikturë ndodhet xhamia Kutubiyya në qytetin maroken, Marrakesh.
Churchill e kishte vizatuar pas konferencës në Kazablanka në janar të vitit 1943 dhe më pas ia kishte dhuruar ish-presidentit amerikan, Franklin Roosevelt.
Në konferencë, lideri britanik dhe ai amerikan ishin marrë vesh për strategjinë lidhur me vazhdimin e luftës kundër Gjermanisë naziste.
Pitt e kishte blerë pikturën në vitin 2011 dhe pastaj ia kishte dhuruar aktores hollivudiane, me të cilën asokohe ishin bashkë.
Më herët, në vitet e gjashtëdhjeta, djali i Roosevelt ia kishte shitur një regjisori filmi dhe pastaj për 50 vite e kishte ruajtur një familje në Neë Orleans, nga e cila pastaj e ka blerë aktori.
Piktura pritet të dalë në ankand për shitje më 1 mars të këtij viti.