Bashkimi Evropian nuk ka plan të menjëhershme për njohjen e talibanëve por do të bisedojë me ata për të siguruar që shtetasit evropianë dhe ata afganë që kanë punuar me BE-në do të mund të largohen në mënyrë të sigurtë.
Kështu deklaroi shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian Josep Borrell, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së.
Borrell para gazetarëve vuri në dukje rëndësinë e hapjes së bisedimeve me talibanët për të parandaluar një eksod të refugjatëve dhe shpërthimin e një krize humanitare në vendin e shkatërruar nga konflikti.
“Ne duhet të jemi në kontakt me autoritetet në Kabul, kushdo qofshin ata. Talibanët e kanë fituar luftën dhe ne duhet të bisedojmë me ata. Ky dialog gjithashtu do të duhet të përqëndrohet në mjetet për të parandaluar kthimin e terroristëve të huaj”.
Bashkimi Evropian i ka ndërprerë ndihmat për qeverinë afgane tani që pushteti është marrë nga talibanët, por BE-ja po shqyrton mundësinë nëse do të duhet të rritet ndihma humanitare, shkruan Associated Press përcjell Klankosova.tv.
Shefi i diplomacisë së BE-së theksoi se nuk mund të ketë “pagesa të ndihmës për zhvillimin derisa në sqarimin e situatës”.
Ai tha se talebanët duhet të respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të drejtat e njeriut për të fituar qasje në fonde.